NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

Shkodrani kampion bote në mundje hedh hapin e madh, Elis Guri trajner i Kombëtares së Bullgarisë…

Në shtator të vitit 2011 duke përfaqësuar Bullgarinë në Kampionatin Botëror që zhvillohej në Stamboll të Turqisë, ai zuri vendin e parë në peshën 96 kg dhe do të shpallej kampion Bote. E kemi fjalën për mundësin e mirënjohur shkodran Elis Guri i cili mori famën e duhur prej atij suksesi duke u konsideruar një prej më të mirëve në Botë për këtë sport. Por prej janarit të këtij viti ndërkohë 37 vjeçari shkodran mësohet se ka nisur një detyrë tjetër: Atë të trajnerit të kombëtares së Bullgarisë. Drejtuesit e kësaj Federate, duke besuar në aftësitë e Elis Gurit, i kanë propozuar një vend në stafin e trajnerëve të kësaj kombëtareje dhe ai e ka pranuar menjëherë.

Një gjë të tillë e ka zbuluar për “Shkodra Sport” vetë Elisi i cili ka pranuar me kënaqësi të japë edhe një intervistë duke shpjeguar detyrën e tij tashmë të re.


Elis, ju kemi parë në disa foto bashkë me pjestarë të kombëtares bullgare. Keni nisur ndonjë detyrë të re pranë saj?

Po, prej janarit të këtij viti kam nisur punë si trajner i kombëtares së Bullgarisë. Jam bashkë me tre trajnerë të tjerë dhe e kam marrë me shumë dëshirë këtë detyrë të re. Kam firmosur tashmë kontratën me Federatën dhe kam nisur punë.

E dispononi liçensën e trajnerit që duhet për të ushtruar këtë profesion?

Po, po, e kam marrë prej tre vitesh.

Ishte oferta e drejtuesve të Federatës bullgare ajo që ju bindi për të marrë këtë detyrë?

Drejtuesit e Federatës ma propozuan një detyrë të tillë dhe unë e pranova me kënaqësi sepse është gjëja më e mirë që di të bëj, të merrem me këtë sport. Unë kam punuar dy vjet në Univervitetin “Luigj Gurakuqi” si asistent- profesor por të them të drejtën, të punosh si trajner është ndjesi krejt tjetër dhe ndihem mirë për këtë.

Vetë jeni shpallur kampion bote, do të mund të provoni të njëjtat emocione por tashmë si trajner duke nxjerrë sportistët tuaj kampionë?

Patjetër që po dhe jam i bindur për këtë. E njoh rrugën drejt suksesit dhe çdo gjë që ka të bëjë me këtë sport. Prandaj shpresoj të jem i dobishëm për sportistët e mi dhe me to të arrijmë suksese të mëdha.

Duket se e keni nisur mirë detyrën sepse në Kampionatin Europian që u zhvillua në shkurt patët disa suksese, apo jo?

Një nisje e shkëlqyer. Në Kampionatin Europian që u zhvillua në Romë nxorrëm një kampion Europe, një nënkampion dhe dy të tjerë u renditën në vendin e pestë. Bashkë me tre trajnerët e tjerë të kombëtares që përbëjmë dhe stafin e saj, jemi të bindur se sukseset nuk do të mungojnë edhe në vijim. Kishim shpresa për sukses edhe në Lojërat Olimpike të këtij viti por tashmë përgatitjet janë ndërprerë sepse siç e dini, ato janë shtyrë për vitin e ardhshëm si shkak i pandemisë.

Elis të falenderoj për intervistën dhe të uroj suksese tashmë në karrierën tuaj si trajner…

Faleminderit juve për interesimin e vazhdueshëm. /Intervistoi: Gjergj KOLA/

Copyright © ShkodraWeb Media ׀׀ Të gjitha materialet tona mund të riprodhohen/rishpërndahen lirisht nga mediat e tjera por duke përmendur burimin se nga është marrë informacioni.
ShkodraWeb Media
ShkodraWeb Media