Kur kanë kaluar rreth dy ditë nga mbrëmja e tmerrshme e “Loro Boriçit”, kur Shqipëria u mposht 0-4 nga Skocia, në impiantin shkodran rikthehen sërish ngjyrat kuqezi, por këtë herë për të triumfuar.
Bëhet fjalë për Shqipërinë U-21, të drejtuar nga Alban Bushi, që luajti sot miqësoren e dytë brenda pak ditësh, ndaj Maltës dhe ashtu si 3 ditë më parë në “Selman Stërmasi”, ku triumfuan 2-0, sot regjistruan një tjetër sukses, këtë herë me rezultatin 3-2.
Kuqezinjtë gjetën golin që në minutën e 11’, me anë të sulmuesit tetovar të Shkëndijës së Tetovës, Shefit Shefiti, por maltezët rigjetën baraspeshën në minutën e 37’, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet 1-1.
Në minutën e 66’, ishin sërish maltezët që shënuan, duke kaluar në avantazh, ndërsa u duk se kuqezinjtë do të pësonin një tjetër disfatë në stadiumin “Loro Boriçi”.
Megjithatë të besuarit e Bushit reaguan mjaft mirë dhe rikthyen barazimin në minutën e 76’, kur sulmuesi i Partizanit, Rubin Hebaj shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Vetëm 3 minuta nga fundi i sfidës, ishte sërish shkodrani Hebaj që shënoi një gol mjaft të bukur për nga ekzekutimi dhe u dha fitoren kuqezinjve, që ishte e dyta ndaj maltës, në vetëm 3 ditë.
Sulmuesi i Partizanit, Rubin Hebaj, pas dy golave që i dhanë fitoren Shqipërisë sot në miqësoren ndaj Maltës, në një intervistë për SuperSport, thotë se u ndje si në shtëpi, dhe shpreson që kjo të jetë një pikë kthese në sezonin e tij.
NDJESIA PAS 2 GOLAVE – “Ishte si një kthim në shtëpi, u ndjeva shumë mirë si në shtëpinë time. Besoja shumë se do bëja mirë sot, dhe ashtu shkoi.”
GOLAT SI ILAÇ – “Mendoj dhe shpresoj që të jetë kthesa ime, sepse në fillim kisha vështirësi të shënoja gol, më pas kisha pak minuta. Shpresoj që këto gola të më japin një shtysë, të rikthehem si ai Hebaj më përpara, duke shënuar shpesh.”
GRUPI DREJT KUALIFIKIMIT? – “Një pjesë e mirë e grupit ka qenë edhe më përpara, nuk e kanë për herë të parë te Shpresat. TË gjithë besojnë te fitorja në çdo ndeshje, pavarësisht sa i fortë është kundërshtari. Çdo ndeshje do futemi për të fituar, dhe pse jo për tu kualifikuar. Të gjitha ekipet janë aty aty sot, vetëm lojtarët bëjnë diferencën. Le të shpresojmë edhe ne.