Shkodrani 26 vjecar shkon tek gjyshja me pistolete ne brez, arrestohet nga policia

Drejtoria Vendore e Policise Diber njofton: “Në zbatim të Planit Operacional “Vjeshtë 2017”, për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e personave në kërkim, apo të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, Efektivat e Komisariatit të Policisë Bulqizë në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, kanë ushtruar kontrolle të befasishme në akse rrugore dhe ambjente të ndryshme për këtë qëllim. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara është arrestuar në flagrancë një shtetas që mbante dhe qarkullonte me armë zjarri pa leje. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin : M.P, 26 vjeç, banues në Shkodër. Arrestimi i tij u bë, pasi shërbimet e policisë kanë marrë informacion se ky shtetas mbante armë me vete dhe ishte strehuar në banesën e gjyshes në fshatin Zerqan. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në kushtet e flagrances në banesën e shtetases Sh.K, në Zerqan, Bulqizë, nipi i saj shtetasi M. P, në momentin që forcat e policisë janë futur në banesë, ka hedhur nga dritarja një armë zjarri Pistoletë TT, me krëhër të mbushur me 7 fishek. Gjatë kontrollit të imtësishëm të banesës është gjetur edhe një fishek pistolete model 54. Kontrolle të tilla do të vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut Dibër. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. /ShkodraWeb/