Shkodra është tronditur përsëri. Vetëm pak kohë pasi në orët e para të një dite që niste, u ekzekutuan poshtë pallatit ku jetonin një ish- polic dhe bashkëjetuesja e tij. Sot, kur dita i kishte “sytë çelë” siç thuhet në Shkodër, një tjetër ngjarje- vritet një 53- vjeçar në një lokal duke pirë kafen e mëngjesit. E ndërsa shkruaja këto rreshta, 8 jetë u shuan nën zjarrin e një automatiku në dorën e një të marri të dehur që shuajti dy familje të një gjaku me të. Është njëngjarje e rëndë, shumë e rëndë ku shteti ka përgjegjësinë e vet të padiskutueshme. Armët në duart e popullsisë civile, pavarësisht shifrave të qeverive apo UNDP-së që ndihmoi në vite, nuk janë mbledhur pas 1997- ës. Prova? Jetët që po merren çdo ditë. Si në mjekësi edhe puna e policisë duhet përqendruar tek parandalimi. E këtu do të rikthehem tek Shkodra jonë.
Vetëm dy ngjarjet e fundit me të cilat hapet ky tekst, janë të mjaftueshme për të treguar se Shkodra është jashtë kontrollit të shtetit. Në këtë qytet vritesh në mes të natës, por edhe në mes të ditës, në periferi apo edhe në qendër, me kallash, me scorpion apo me pistoletë. E jo vetëm vritesh, por edhe nuk merret vesh kurrë se kush ishte ai që mori rolin e Zotit duke të hequr të drejtën për të jetuar.
Rëndom po përmendet përherë e më shumë termi “larje hesapesh”, por edhe nëse është kështu, edhe në vetëm këto dy ngjarje ka viktima të pafajshme. Viktima që mund të ketë ndërruar jetë apo edhe që mund të jenë gjallë fizikisht.
Shkodra jashtë kontrollit të shtetit nuk është tanimë vetëm një përceptim apo gjetje gazetareske për një shkrim. Për të mos thënë psikozë turme, është minimalisht përceptim i një pjese të konsiderueshme të qytetarëve. Kam frikë se nuk do të jetë e largët dita që në të errur, rrugët e lokalet të jenë të zbrazura siç ndodhte edhe pas disa viteve që pasuan 1997-ën. Edhe në këto ditë, frika është evidente edhe në qendër të Shkodër, në Pedonalen “Kol Idromeno”. Pas orës 12.00 të natës, vështirë të kemi kliente, pohojnë pronarët e lokaleve. Prej shumë vitesh nuk ndodhte kështu, shtojnë. E pra jemi në zemër të Shkodrës, ku siguria duhet të jetë maksimale.
Po lexoja një status të famshëm në një profil në Facebook: Të lësh duhanin dhe të ikësh nga Shkodra, nuk është kurrë vonë! E kisha dëgjuar për herë të parë nga një pedagog i imi i “Luigj Gurakuqit” në 1995, kur nën shembullin e shumë miqve të mijë, po mendoja të braktisja arsimimin në drejtim të vendeve të Europës. E rregullisht, pas këtij viti kam patur mundësinë ta braktis këtë qytet, i cili sa herë që jam larg tij, me tërheq si magnet. E sot pas më shumë se 20 vitesh, situata përsëritet. Duke implikuar tashmë dy breza në një dëshirë mizore për të lënë pas gjithçka. Sepse pavarësisht çdo gjëje, vrasje apo edhe situatë të rëndë, jeta ka vazhduar. E nën rutinën e saj, janë ngjarje si kjo e sotmja që na bëjnë të reflektojmë se sa shumë kemi humbur duke qëndruar… /Nga Blerti DELIJA/