
Me një finale spektakolare, “X Factor Albania” ul siparin për edicionin e 6-të. Rigersa Loka me mentore Arilena Arën u shpall fitues i këtij spektakli, duke marrë votat dhe zemrat e publikut.
Të tre finalistët, Leandra, Rigersa dhe Salvatore interpretuan përgjatë natës finale performanca me mentorët e tyre. Emocionet, surprizat, rrëfimet dhe performancat nga artistë dhe personazhe të njohur mbërthyen para ekranit të Televizionit Klan mbarë publikun shqiptar.
Salvatore dhe Rigersa u përballën me njëri-tjetrin ku sfiduan me këngët e tyre më të mira gjatë “X Factor”. Por, publiku dhe teleshikuesit shpallën Rigersën si fituese të këtij talent show.
Mes emocionesh dhe lotësh Rigersa falenderoi publikun për mbështetjen.
“Nuk e prisja kurrë! Nga kjo skenë kam dalë e kompletuar”, u shpreh mes lotësh ajo.
Siç u shpreh dhe vetë Alketa Vejsiu kjo është hera e katërt që çmimi i madh i X Factor fitohet nga një konkurrent nga Shkodra.
Spektakli i preferuar i gjithë shqiptarëve solli një natë magjike në ekranin e Televizionit Klan, ku përpos garës, momentet e show-t të kuruara mjeshtërisht nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu sollën atmosferën e eventeve botërore! /tvklan.al/