Si asnjëherë tjetër, “Shkodra Jazz Festival” erdhi në qytetin e tij, për t’i dhënë Shkodrës fisnikërinë e nji zonje të randë. 17 Gusht – 1 Shtator ne përjetuam “shpërthime” të paimagjinueshme emocionale, mes të rinjve të “Rrok Academy” dhe artistëve të jashtëzakonshëm të skenave botërore.
Koncertet filluan me “Shkodra Sounds” në 22 Gusht në zonën pedonale, pranë Jubanve.
Pas një eksperience të shoqëruar me shumë pozitivitet dhe profesionalizëm për një javë masterclass, studentët e degës më të re në “Rrok Academy”, Fizarmonikë Klasike dhe Ballkanike, hapën koncertin të drejtuar nga muzikanti shkodran, i njohur ndërkombëtarisht Bardh Jakova, i cili me seriozitetin e tij i dha frymëzim të rinjve në çdo tingull. Qëllimi jonë ishte rikthimi i një tradite të dashur për qytetin, përmes lojës në instrumentin e fizarmonikës. 9 fizarmonika të ngjitura në skenë njëherësh rikthyen magjinë e rrugicave të vjetra shkodrane, me muzikë klasike dhe ballkanike, të përzgjedhura me shumë kujdes nga Jakova.
Më pas me një mesazh të veçantë fizarmonikat u bashkuan me “Rrok Academy” Classic nën drejtimin e Maestro Paçalin Zef Pavaci për të luajtur së bashku “Pranvera filloj me ardhë….”
Mbrëmja u mbyll me studentë të “Rrok Academy” Jazz, të drejtuar nga Markelian Kapidani.
24 Gushti solli në Shkodër “Daisies String Kuartet” në oborrin e Muzeut Historik. Emocione të mëdha nën tingujt e mrekullueshëm që sollën ish-studentët e Rrok Jakaj, të cilët për disa vite ndoqën kurset 3 mujore në Saluzo të Italisë. Nikola Kondakçi, Ediola Islamaj, Herida Duro dhe Mario Guralumi, sollën për publikun nostalgji tingujsh të muzikës qytetare, të përpunuar, filmit shqiptar dhe kinematografisë së huaj.
27 Gushti ju dedikua tërësisht të rinjve të talentuar nga Shkodra, të cilët studiojnë Piano, me mbajtjen e masterclass-it nga pianistja austriake Verena Zeiner gjatë gjithë paradites dhe në darkë me një koncert dinjitoz pranë Kafes së Madhe, ku të gjithë të rinjtë performuan pjesë të zgjedhura nën kujdesin e mësueses Dorina Gjoka Saraci.
28 Gushti e mbushi sallën e Teatrit “Migjeni” me tingujt e ëmbël të pianistes austriake Verena Zeiner, duke na futur në një botë paralele.
Vazhduam me Nunzio Barbieri, liderin e grupit të Paolo Conte, kitara e të cilit e ktheu Muzeun Historik në një oborr magjik nën tingujt e “Jazz Manouche” më 29 Gusht… Barbieri u shoqërua nga artisti Dino Contentii dhe studentët e “Rrok Academy” Jazz, Kejdi J. Barbullushi, Daniel Prendi dhe Endri Hekurani.
Në të njëjtën ditë paralelisht udhëtuam drejt kryeqytetit me “Shkodra Jazz Festival, on tour” me Daniele Gorgone Trio, në ambjentet e “Tulla Nouvelle” Tarracë.
30 Gushti solli në skenën e madhe në Sheshin “Nënë Tereza” artistët më në zë ndërkombëtar që luajnë muzikë Jazz: Daniele Gorgone Trio, i përbërë nga pianisti Daniele Gorgone, Marco Piccirillo, kontrabas dhe Matteo Cidale Official në bateri dhe Deborah J. Carter, e cila me zërin e saj e mbushi skenën tonë me embëlsi dhe thellësi të panjohura më parë….
Datë 31 Gusht Koncert në Sheshin “Nënë Tereza” me pjesëmarrjen e artistëve të huaj, të ftuar në “Shkodra Jazz Festival”, “Alboran Trio”, i përbërë nga Paolo Pagliaga në piano, Dino Contenti në kontrabas dhe Ferdinando Farao në bateri; më pas Johannes Faber, trompisti me famë ndërkombëtare, u shoqërua nga Markelian Kapidani në piano, Daniele Gorgone në piano/tastierë, Matteo Cidale bateri, Kejdi Barbullushi kitarë, Marco Piccirillo në kontrabas, Nunzio Barbieri kitarë. Një mbrëmje për të mos u harruar.
Data 1 Shtator e mbylli edicionin e dhjetë të “Shkodra Jazz Festival” me koncertin “Shkodra Sounds” në Teatrin “Migjeni”, ku për të dytin vit me radhë u ngjit në skenë “Skanderbeg Chamber Orchestra”, e përbërë nga stundentët e “Rrok Academy” Classic dhe e drejtuar nga Maestro Paçalin Pavaci, duke u prezantuar me një koncert shumë dinjitoz.
“Rrok Academy”, një dimension i ri i “Shkodra Jazz Festival”, për të tretin vit me radhë, solli në Shkodër mbi 60 të rinj muzikantë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilët ndooqën masterklaset nga artistët pjesëmarrës (17 Gusht – 1 Shtator).
“Rrok Academy” dega Jazz, e drejtuar nga Princi Markelian Kapidani; “Rrok Academy” dega klasike, e drejtuar nga maestro Paçalin Pavaci dhe këtë vit për herë të parë “Rrok Academy” dega Fizarmonikë klasike dhe ballkanike, e drejtuar nga Bardh Jakova, arriti të mbajë pezull frymën e këtyre të rinjve të mrekullueshëm për orë e orë të tëra.
Frymëzuar në vitin e parë të lindjes së “Rrok Academy” dega Jazz, këtë vit Princi i jazz-it shqiptar, promovoi librin e parë në gjuhën shqipe të dedikuar muzikës jazz “Shënime për muzikantin” nga Markelian Kapidani.
Magji, shpirt dhe shumë dashni në çdo orë të “Shkodra Jazz Festival”, “Rrok Academy” dhe “Shkodra Sounds”. “Shkodra Jazz Festival” është familje e madhe tashmë.
ANDRRA VAZHDON… /Nga Bruna KEÇI LLESHI/