ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

““Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin…”, Ditmir Bushati flet për “VoA”: Katastrofë shtetërore” nëse…

Në Shqipëri, ish-ministri i Jashtëm dhe anëtari i kryesisë së Partisë socialiste Ditmir Bushati, flet për nevojën e një “kordoni sanitar” apo filtrave të rreptë për të parandaluar kandidimin e personave me të kaluar të dyshimtë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shprehet se “integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht dhe refuzimin për ta parë një gjë të tillë, do të mund të quhej pa ngurrim, një katastrofë shtetërore”. I pyetur më pas për deklarimet e bëra më pas nga sekretari i Përgjithshëm socialist Taulant Balla, sipas të cilit kandidatura e zotit Pjetri në Shkodër ishte propozuar nga ish- ministri i Jashtëm, zoti Bushati deklaroi se “Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin. Asambleja e Partisë socialiste propozoi 3 kandidatë të tjerë”, u shpreh ai.

Zëri i Amerikës: Javën e shkuar në mbledhjen e kryesisë së PS-së ju patët një debat me kryeministrin Rama lidhur me zhvillimet në Shkodër dhe veçanërisht për rastin e zoti Valdrin Pjetri, kandidat i PS, i cili u zgjodh në krye të Bashkisë, por më pas u detyrua të tërhiqet, kur u zbulua se kishte fshehur një pjesë të së kaluarës së tij. PS nga ana e saj ka folur për një çështje individuale, ndërkohë që ju në deklaratat tuaja pas mbledhjes së kryesisë u shprehët se keni arritur në pikën e derdhjes dhe se ky fenomen i cili duhet trajtuar në mënyrën rrënjësore. Për çfarë e kishit fjalën, se ju folët dhe për një reformë politike për të trajtuar këtë situatë?

Ditmir Bushati: Është e rëndësishme fillimisht që të ndajmë përgjegjësinë ligjore e cila në çdo rast është individuale për çdo person që ka shkelur ligjin dhe çdo person duhet të përballet me drejtësinë, me përgjegjësinë politike që ne e kemi si politikan dhe si forcë politike. Besoj se ne, jo vetëm duhet të njohim përgjegjësinë politike në raste të tilla, por edhe ta ushtrojmë atë. Përgjegjësia politike në këtë rast mund të ushtrohet përmes një reformë politike, që do të sillte në qendër të vendimmarrjeve tona, anëtarin e PS-së. Nga eksperienca ime politike dhe në drejtim të qarkut Shkodër, kam kuptuar që disa vendimmarrje është me rëndësi që t’ua besojmë komuniteteve. Është me rëndësi që t’ia besojmë bazës së parties, në mënyrë që të sigurojmë që kemi zgjedhur personat e duhur dhe në mënyrë që gara që duhet të zhvillohet brenda radhëve të Partisë Socialiste në këtë rast, të sjellë jo vetëm ofertën më të mirë politikë, programatike, shoqëruar me një vizion përkatës, por t’i krijojë mundësi në radhë të parë anëtarësisë së PS-së dhe më pas komuniteteve lokale për të ushtruar një mbikëqyrje më të madhe në lidhje me integritetin e çdo kandidati që synon që të ketë një karrierë politike.

Tek e fundit, ne nuk po shpikim rrotën dhe nuk kemi pse. Mjafton të shohim ç’po ndodh me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (bota i njeh si primare), apo në vende të tjera rreth e përqark nesh, para pak kohësh në Itali apo Francë, ku kandidatët që synojnë për të marrë apo ushtruar përgjegjësi politike dhe publike në fazën më të hershme të këtij procesi i nënshtrohen jo vetëm garës brenda partisë, por edhe një lloj mbikëqyrje që është shumë e rreptë, ndonjëherë dhe e pamëshirshme që vjen nga komuniteti. Kjo do të na bënte që të ndërtonim një sistem imunitar brenda radhëve tona, por nga ana tjetër do jepnim një shembull më të mirë, sepse kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Partia Socialiste është një forcë që e ka kapacitetin për tu vetkorrigjuar. Ka energjinë dhe burimet njerëzore për të qenë forcë e ndryshimit dhe çdo garë brenda nesh do duhej të zhvillohej duke respektuar librin e rregullave të shtëpisë tonë, sistemin e meritës, të vlerës dhe natyrisht duke iu ofruar komuniteteve modele më të mira.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati po në të njëjtën deklaratë ju folët për njerëz me të kaluar të dyshimtë të cilët janë përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, veprim për të cilin keni marrë përshëndetje nga SHBA për njerëz që po nga SHBA janë shpallur persona “non grata”. Megjithatë ju theksuat se disa prej këtyre personave janë rikthyer në tryezat vendimmarrëse të PS. Si ka mundësi që pas disa viteve debat të fortë për çështje të dekriminalizimit nuk kemi asnjë prej këtyre personave të ndëshkuar nga drejtësia?

Ditmir Bushati: Ne kemi përgjegjësinë e madhe para qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, në radhë të parë, për të vendosur një kordon sanitar dhe për ta luftuar në mënyrë agresive këtë fenomen. Tek e fundit kemi miratuar një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, kemi miratuar një ligj të posaçëm pikërisht për të frenuar një fenomen të tillë. Ne jemi politikan dhe është shumë e rëndësishme që të nxjerrim mësime konkrete dhe të shpalosin një vullnet politik të qartë për t’u distancuar njëherë e mirë nga ky fenomen. Nga ana tjetër, fakti që ju sapo përmendet, nxjerr në dritë një të vërtetë të hidhur që në vitet e shkuara askush nuk është trajtuar nga drejtësia në lidhje me këtë fenomen dhe përsa kohë ne flasim gjithë ditën për reformën në drejtësi është e rëndësishme që reforma në drejtësi të zhvillohet paralelisht me një luftë pa kompromis kundër, jo thjeshtë personave me të shkuar të dyshimtë por edhe çdo lloj influence që mund të vijë nga këto persona në vendimmarrjen në jetën publike. Integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht dhe refuzimi për ta parë një gjë të tillë nuk është assesi katastrofë partiake por nuk do të ngurroja ta quaja katastrofë shtetërore.

Zëri i Amerikës: Megjithatë duhet të kujtojmë se ju keni qene drejtues politik i qarkut Shkodër, dhe në fjalimin përmbyllës të fushatës ju thatë se me zotin Pjetri hapet një kapitull i ri për Shkodrën. Atëherë pse duhet të besojmë që këto shqetësime që po ngrini tani janë mbi baza parimore, e nuk po shfrtëzohen nga ju pasi PS, osë më mirë, kryetari i saj, ju hoqi ju drejtimin politik të Shkodrës, duke ju zëvendësuar pikërisht më zotin Pjetri, apo dhe faktin që kryeministri Rama dhe më herët, në fillim të këtij viti ju largoi dhe nga posti i Ministrit të Jashtëm?

Ditmir Bushati:Debatet përsa i përket procesit të dekriminalizimit dhe influencës në politike të njerëz lve me të shkuar të dyshimtë apo persona të cilët janë shpallur “non grata” nga SHBA, unë kam preferuar për ti zhvilluar brenda kryesisë që në vitin 2016. E kam thënë edhe herë të tjera që, fillimisht problematikat shtrohen brenda një familje politike dhe më pas kam ndjerë nevojën që për çështje të tilla, është e rëndësishme që të kemi një debat politik më të sinqertë, në mënyrë kapilare brenda të gjitha strukturave të partisë socialiste, po pse jo dhe një debat ndërpartiak dhe një debat shoqëror për të pasur në fund të fundit një pakt kundër influencës të personave të tillë në jetën publike.

Natyrisht, nuk kam përjashtuar asnjë çast as veten nga përgjegjësi të tilla, edhe kur kam thënë që, ne nuk kemi pse mos të guxojmë të kërkojmë ndjesë për vendimmarrje të gabuara dhe kur kam deklaruar që askush prej socialisteve e progresisteve shqiptarë nuk ka pse të ndjehet i ligështuar prej vendimmarrjeve të gabuara nga ana jonë. Por, pikërisht eksperienca e Shkodrës, më shtyn të mendoj që ne duhet të fillojmë të veprojmë seriozisht me një mentalitet të ri perëndimor, 30 vjet pas shembjes së regjimit komunist, duke krijuar garë të vërtetë brenda nesh, duke krijuar rregulla loje që duhet të respektuar brenda nesh, një sistem merite dhe vlere, modele frymëzuese. Duke i dhënë mundësi kësisoj, jo vetëm bazës së partisë, por edhe komuniteteve për ta thënë fjalën e tyre, qoftë për kandidatët për deputetë, qoftë për kandidatët për këshillin bashkiak, qoftë për kandidatët për kryetar bashkie, kryetar partie apo kryetar organizatash në një fazë të hershme të këtij procesi. Besoj fuqimisht që gara e shëndetshme brenda familjeve politike do të stimulojë gjithashtu dhe garën në jetën ekonomike të vendit.

Zëri i Amerikës: Kanë qarkulluar së fundmi në media dhe hipoteza për një largim të mundshëm tuajin nga PS dhe një angazhim apo përfshirje në Lëvizjen Vetëvendosja. Si është e vërteta?

Ditmir Bushati: Kjo është një tollovi treditore e krijuar kryesisht nga teknologët politikë dhe distributorët e lajmeve të rreme. Një miku im i çmuar nga Kosova do ta krahasonte me situatën e ngjashme në Ish-Jugosllavi dhe me teknologjinë që përdorej asokohe për ‘diferencimin ideopolitik’ ndaj njerëzve të cilët likuidoheshin politikisht. Unë besoj që ne nuk e kemi luksin të jemi një matricë neo-jugosllave. Me Vetëvendosjen, me Albinin, por jo vetëm, me të gjithë spektrin politik shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, unë kam kultivuar marrëdhënie profesionale, mbi të gjitha njerëzore të mira, edhe për shkak të funksionimit tim shtetëror të mëparshëm si Ministër i Jashtëm. I uroj suksese atyre.

Nuk kam asnjë arsye, e jo më ambicie për të lëvizur nga Partia Socialiste të cilën e konsideroj familjen më të madhe politike në vend. Jam mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar në të gjitha funksionet e mia, si Ministër i Jashtëm por edhe në funksionet politike, nga kolegët, nga anëtarësia e Partisë Socialiste dhe sot më shumë se kurrë mendoj që ne kemi nevojë për të hedhur një tjetër hap drejt demokratizimit të mëtejshëm të PS-së, për të dëshmuar që jemi në gjendje për tu vet-korrigjuar dhe për ti folur, jo thjeshtë aspirantëve te kutia e votimit, por mbi të gjitha atyre që me të drejtë, mund ta kenë humbur shpresën nga gabimet që ne kemi bërë nga 6 vitet në qeverisje të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, u mund të flitet për ngushtim të hapësirave demokratike brenda PS?

Ditmir Bushati: Është e rëndësishme që ne të krijojmë mekanizma dhe rregulla lojë më të qartë, jo vetëm brenda PS, por brenda familjeve tona politike. E di që opinioni publik është më i vëmendshëm dhe më ekzigjent ndaj Partisë Socialiste, për shkak të traditës të mirë që PS ka pasur në këtë drejtim. Është detyra jonë për të qenë vigjilentë, solidarë e mirëkuptues, por gjithmonë duke vendosur në qendër të vendimmarrjes anëtarin e Partisë Socialiste. Jo në çdo rast vendimet që imponohen nga lart mund të kenë efektet e duhura në praktikë. Ne, padyshim që mund të jemi dhe duhet të jemi partia promotore e ndryshimit. Sot për sot, operojmë në një kontekst edhe më specifik. Barra mbi ne është edhe më e rëndë, për shkak të përgjegjësive në pushtet qendror edhe në pushtetin vendor, thuajse në të gjitha hallkat e vendimmarrjes. Kësisoj, na duhet që të jemi më të durueshëm, në radhë të parë me njëri-tjetrin. Na duhet më shumë imagjinatë për të prekur horizontin. Na duhet edhe kapacitet për më shumë kompromise, qoftë brenda familjes tonë politike, por edhe me opozitën politike dhe atë parlamentare, sepse vendi ndodhet përballë sfidave të reja.

Zëri i Amerikës: Dhe pikërisht duke patur parasysh këto sfida, do kujtoja atë më të afërmen, vendimin e Këshillit Europian për hapjen ose jo të bisedimeve për anëtarësim, por dhe sfidën tjetër që lidhet më drejtimin nga ana e Shqipërisë të OSBE-së. Në këtë situatë të rënduar politike, të një krize që zgjat prej disa muajsh, a rrezikon kjo të kthehet në një pengesë serioze pikërisht për këto dy objektiva të afërta të Shqipërisë?

Ditmir Bushati: Mbase askush nuk e ka imagjinuar në ’90, kur studentët brohorisnin “ e duam Shqipërinë si Europa”, se 30 vite më pas, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e Bashkimit Europian. Kur i kthehem pas këtij procesi, për të cilin kam punuar e kontribuar dhe jam duke punuar e kontribuar, mendoj se është koha që të tregojmë pjekuri politike dhe të mos luajmë me zjarrin. Ngjarjet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar dhe rinovimi i institucioneve të Bashkimit Evropian, tregojnë që BE do të jetë diçka tjetër nga ajo që është deri me 1 nëntor. Besoj, uroj dhe shpresoj që ne të konsolidojmë arritjet në këtë drejtim. Kur kujtoj 2013-ën, përpjekjet tona për të fituar statusin e vendit kandidat, nuk bie assesi dakord me qëndrimet e opozitës, sipas së cilës, çdo gjë ishte bërë gati.

Edhe atëherë nuk ishte e lidhur thjeshtë dhe vetëm me tre ligjet, por ishte e lidhur drejtpërdrejtë me reformat që ne kemi ndërmarrë. Edhe rekomandimi për nisjen e bisedimeve për anëtarësim që u sigurua për herë të parë në 2018-ën dhe konfirmimi i tij në 2019-ën, besoj se erdhi si pasojë e një klime kompromisi që u krijua për kalimin e paketës për ndryshime kushtetuese dhe akteve nënligjore për reformën në drejtësi. Tanimë, është momenti që përmes një vullneti politik, i cili duhet të jetë mbipartiak, ne ti dëshmojmë BE-së që jemi në gjendje të kalojmë testin e modernitetit si shoqëri, jemi në gjendje për tu futur në rrugën e pakthyeshme evropianë.

Po kështu, mendoj se marrja e drejtimit të OSBE-së nga Shqipëria, ishte një prej arritjeve më të mëdha të politikës së jashtme Shqiptare, por jo vetëm. E kam konsideruar gjithnjë të lidhur ngushtë me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me procesin e fitimit të vendit në tryezën e Këshillit të Sigurimit të OKB, për një vend jo të përhershëm.

Mendoj se kriza politike dhe situata ku ndodhet skena politike në Shqipëri, ka ndikimet e saj, qoftë përsa i përket vendimmarrjes për në BE, po kështu dhe drejtimin tonë të OSBE-së. Prandaj, janë dy momente që nuk do të nguroja ti quaja historike, të cilat nuk duhen humbur dhe mbase mund të jenë edhe dy momente që mund të kërkojnë vullnet rreth e përqark jo vetëm aktorëve politik por edhe atyre shoqëror për ti kthyer të dy këto momente në histori suksesi. /VOA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.