SHIFRAT/ Bie nga viti në vit numri i shqiptarëve në qeli, në vend të parë pas hekurave janë…

Loading...

Numri i të burgosurve për vjedhje ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, ndërkohë që të burgosurit për drogë janë bërë grupi më i madh, raportohet në statistikat e INSTAT.

Popullsia në sistemin e burgjeve në Shqipëri ra me 9% në vitin 2017 krahasuar me 2016-n, e shkaktuar nga rënia e të burgosurve për kategorinë e krimeve “të tjera”, ku përfshihen dënimet për vepra të lehta penale, ndërkohë që numri i të dënuarve për krime në fushën e drogës u rrit me 23%, duke e bërë drogën shkakun kryesor të rënies së shqiptarëve në burg.

Të burgosurit në total ishin 5,418 vetë më 2017. Nga këta, 1602 janë të burgosur për krime në fushën e drogës, çka përbën 29 për qind të popullsisë së burgjeve dhe shënon një rritje prej 40 për qind në krahasim me vitin 2014.

Vitin e kaluar, 21 % e të gjithë të burgosurve ishin pas hekurave për drogë, ndërsa katër vjet më parë, një në pesë të burgosur kishte kryer këtë vepër penale.

Numri i të burgosurve në Shqipëri shënoi kulmin në vitin 2015, falë disa fushatave të debatueshme të ndërmarra nga qeveria në emër të rivendosjes së ligjshmërisë, të cilat dërguan në burg një numër shqiptarësh për vjedhje të energjisë elektrike, ndërtime pa leje apo shkelje të kodit rrugor. Dallga e këtyre dënimeve ra pas vitit 2016 duke sjellë edhe rënien e numrit të shqiptarëve të privuar nga liria.

Ndërkohë, numri i shqiptarëve pas hekurave të dënuar apo të dyshuar për vjedhje ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë katër viteve të fundit, ndërsa dënimet për drogë janë rritur. Ndonëse Shqipëria njihet për praninë e mbi 40 organizatave kriminale, sipas Ministrisë së Brendshme, numri i të dënuarve të burgosur për këtë vepër penale ishte më 2017 vetëm 26 vetë. Shumica dërrmuese e të burgosurve për drogë nuk janë dënuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Të dhënat mbi popullsinë në burgje pasqyrojnë numrin mesatar të të burgosurve përgjatë periudhës 12 mujore dhe jo numrin e shqiptarëve të dënuar apo ata që e kanë vuajtur burgun. /Burimi:BIRN/

Loading...