Kur ka mbetur rreth një orë nga nisja e takimit të paralajmëruar të kryeministrit Rama në Shkodër, sheshi para Teatrit “Migjeni”, ku është njoftuar zhvillimi i takimit të PS-së, është i boshatisur. Nuk ka asnjë përgatitje, të zakonshme në këto raste. Nuk ka vendosje karrikesh apo banerash të PS-së. Shihen vetëm disa punonjës policie të cilët largojnë makinat nga parkimet në këtë shesh dhe përpiqen të mbajnë të lirshëm qarkullimin rrugor.
Ndërkohë, burime jo zyrtare në selinë rozë të Shkodrës, thonë se ka patur një zhvendosje të takimit nga sheshi para, në sallën e Teatrit “Migjeni”. Megjithatë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar, siç nuk ka edhe për agjendën e mundshme të kryeministrit në Shkodër. Nga ana tjetër, mësohet se opozita do të ketë një organizim të vetin, por nuk jepen detaje. Burime të ndryshme jo zyrtare, thonë se do të ketë “një pritje siç e meriton” për kryeministrin Rama.
Sipas gjasave, pas fjalimit të Bashës në Milot dhe paralajmërimit për “mesazh që rama do të marrë në Shkodër”, strukturat opozitare duhet të kenë përgatitur diçka. Hamendësimet mund të shkojnë nga protesta para “Migjeni”, deri tek bllokimi i rrugëve hyrëse të Shkodrës, në kuadër të mosbindjes civile që Lulzim Basha artikuloi mbrëmë nga Miloti.