Skip to content
13 January, 2026
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

Since 2017, the most followed news portal and entertainment in the North of Albania

njoftime banner 2025
Primary Menu
  • KUSH JEMI NE
  • AKTUALITET
  • KRONIKË
  • POLITIKA
  • SPORT
  • MAG&VIP
  • DOSSIER
  • ANËMBANË
  • VIDEO NEWS
  • RRETHE
    • Malësia e Madhe
    • Lezha
    • Vau- Dejës
    • Puka
    • Vendi
  • NA SHKRUANI
ShkodraWeb TV

SHËNIMI I DITËS NGA EDI RAMA – Drejtësia të jetë e pavarur, por jo e verbër!

ShkodraWeb 22 November, 2025
ed111i amerikani

Më ka mbresuar prej kohësh figura monumentale e Robert H. Xheksonit, njëra nga mendjet më të ndritura që ka njohur drejtësia demokratike.

Si Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe arkitekt i akuzës në gjyqin epokal të Nurembergut, ai vendosi themelet morale të rolit të prokurorit në një shtet modern të së drejtës.

Fjalët e tij të kumtuara në mes të shekullit të kaluar, mbeten udhërrëfyese për këdo që beson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme; e fortë, por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues.

Dhe po e ndaj sot me ju, fjalimin historik të Robert H. Xheksonit, sepse paralajmërimet e kryeprokurorit legjendar të Amerikës, njeriut që shkroi etikën moderne të prokurorit demokratik, tingëllojnë sot si të shkruara për ne.

Robert H. Xheksoni i mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.

Ndërsa mua personalisht, ai më ka mësuar diçka tejet frymëzuese për të ecur drejt, vetëm përpara, të cilën asnjë prej baltosësve të mi nuk e kupton dhe s’ka për ta kuptuar kurrë dot, siç fatmirësisht e kupton fare mirë shumica e shqiptarëve. Ky është mësimi madhor i shprehjes së tij lapidare, “Pushteti nuk ka qenë kurrë më i denjë sesa në çastin kur ka pranuar t’i nënshtrohet gjykimit të një drejtësie të pavarur”.

JA EDHE FJALIMI I ROBERT H. XHEKSONIT QË KA HYRË NË ANALET E HISTORISË ME TITULLIN “PROKURORI FEDERAL”, MBAJTUR NË PRILL 1940 NË KONFERENCËN VJETORE TË PROKURORËVE TË SHTETEVE TË BASHKUARA:

Prokurori ka më shumë kontroll mbi jetën, lirinë dhe reputacionin e një personi sesa çdo njeri tjetër në Amerikë. Liria e tij është marramendëse. Ai mund t’i vendosë qytetarët nën hetim dhe, nëse është një lloj njeriu i caktuar, prokurori mund të merret me deklarata publike apo me insinuata të hapura ose të fshehura. Por ai mundet të ndjekë edhe një mënyrë më të hollë dhe thjesht të marrë në pyetje miqtë e një qytetari. Prokurori mund të urdhërojë arrestime, t’i paraqesë çështjet përpara një trupe pas dyerve të mbyllura dhe, mbi faktet e tij të njëanshme, të ngrejë akuzë duke i imponuar qytetarit uljen në gjyq.

Po ai mundet edhe të tërhiqet pa shkuar në gjyq fare, duke ia hequr mbrojtjes çdo mundësi për t’u dëgjuar. Ose mund të vazhdojë me një gjyq publik. Dhe nëse jepet një dënim, prokurori ka ende mundësi të ngrejë pretendime për masën e dënimit, njësoj si avokati i mbrojtjes.

Ndërkohë që prokurori, në rastin më të mirë, është një nga forcat më të dobishme për shoqërinë tonë, kur ai nxitet nga ligësia apo të tjera motive të ulëta, bëhet një nga forcat më të këqia. Fuqitë që ai ka, i janë dhënë sepse prej tij pritet të jetë i pandikueshëm, pra absolutisht i paanshëm dhe kurrësesi i shtyrë nga përfitime personale, ambicie politike apo presione publike. Detyrimi i tij i vetëm profesional është “që faji të mos ia hedhë dhe pafajësia të mos vuajë”.

Por, ndryshe nga gjyqtarët, prokurori nuk është natyrshmërisht i pandikueshëm. Ai emërohet ose shpesh zgjidhet, dhe i vjen t’i tregojë publikut zellin e tij. Për të bërë karrierë, ai rend pas një bilanci dënimesh. Lejomëni ta them edhe një herë: prokurorit i është besuar një fuqi e jashtëzakonshme dhe i kërkohet një karakter i pashoq.

Asgjë më të mirë nuk mund të bëjë një sistem ligjzbatues sesa të shmangë cfilitjet e panevojshme dhe ndjekjet e pajustifikueshme penale. Nëse një prokuror këmbëngul tek dënimi në një çështje që nuk duhet ndjekur fare penalisht, ose e gjykon një çështje në një mënyrë që nuk është e drejtë, dëmi që ai bën është i pallogaritshëm.

Kur fuqia e prokurorit bie në duart e një njeriu jo të mirë, prokurori bëhet njeriu më i rrezikshëm i një vendi.

Një nga rreziqet më të mëdha të abuzimit buron nga fuqia e prokurorit për të zgjedhur se kë ndjek penalisht. Të gjithë e kemi dëgjuar thënien e mençur se librat e ligjit janë aq të mëdhenj sa një prokuror mund ta gjejë një shkelje të çfarëdoshme ligjore për t’ia hipur në kurriz pothuajse kujtdo.

Është pikërisht këtu – tek zgjedhja e çështjeve – ku nxitet edhe tundimi më i madh. Prokurori mund të zgjedhë dikë që nuk i pëlqen ose dikë që dëshiron ta turpërojë, ose një grup njerëzish të papëlqyer nga publiku dhe t’u qepet për t’i gjetur në shkelje. Dhe pikërisht në këtë çast zbatimi i ligjit bëhet personal, dhe krimi i vërtetë bëhet fakti i të qenit i papëlqyer nga prokurori i gabuar.

Një prokuror i mirë mund t’i mbrojë njerëzit tanë nga krimi; një i keq mund t’i terrorizojë ata.

Zbatimi i ligjit nuk është automatik; është human. E përderisa është human, duhet vetëpërmbajtje e madhe. Fuqia më e rrezikshme e prokurorit është kur ai i zgjedh ata që mendon se duhen goditur, në vend që të zgjedhë çështjet që meritojnë të ndiqen. Me librat e ligjit plot me lloj-lloj parashikimesh për krimet, një prokuror ka shansin ta gjejë të paktën një shkelje teknike tek pothuajse çdo njeri.

Në një rast të tillë, çështja nuk është më të zbulosh kryerjen e një krimi dhe të kërkosh njeriun që e ka kryer; çështja bëhet të zgjedhësh njeriun që do të fajësosh dhe pastaj të kërkosh në librat e ligjit, e të vësh hetuesit në punë, për t’i hipur atij në kurriz një shkelje.

Tamam këtu qëndron edhe rreziku më i madh, rreziku që një post publik të përdoret për të poshtëruar, torturuar apo ndëshkuar një qytetar, jo pse është fajtor, por sepse është i papëlqyer apo i padëshiruar.

Cilësitë e një prokurori të mirë janë po aq të vështira për t’u bërë bashkë sa ato të një gjykatësi të mirë. Ato janë:

Ndershmëria. Integriteti profesional. Paanshmëria. Guximi dhe vendosmëria. Por mbi të gjitha, ai duhet të kujtojë se misioni i tij kryesor nuk është të fitojë çështje, por të bëjë drejtësi. /Nga Edi RAMA, publikuar në Facebook/

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd. Ju mirëpresim!

Post navigation

Artikull paraardhës: Reshje me intensitet të lartë në qarkun e Shkodrës, ja si paraqitet situata në 5 bashkitë
Artikull pasardhës: Arrestohen dy shtetas nga Bardhaj, u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur…

TË FUNDIT

bashkia malesi e madhe

SKEMA E MASHTRIMIT – “Jemi miqtë e Toninit”, si i zhvati grupi i Florian Gjergjit 40 mijë euro biznesmenit shkodran

ShkodraWeb 12 January, 2026 0
permbytje shkoder 2026

Dyfishohet sipërfaqja nën ujë në territorin e Bashkisë Shkodër, arrin në 945 hektarë tokë…

ShkodraWeb 12 January, 2026 0
arrestim shkoder 2025

Policia e Shkodrës arreston dy të rinj, uniformat blu ekzekutojnë vendimet e gjykatës së shkallës së parë

ShkodraWeb 12 January, 2026 0

TË FUNDIT

  • SKEMA E MASHTRIMIT – “Jemi miqtë e Toninit”, si i zhvati grupi i Florian Gjergjit 40 mijë euro biznesmenit shkodran 12 January, 2026
  • Dyfishohet sipërfaqja nën ujë në territorin e Bashkisë Shkodër, arrin në 945 hektarë tokë… 12 January, 2026
  • Policia e Shkodrës arreston dy të rinj, uniformat blu ekzekutojnë vendimet e gjykatës së shkallës së parë 12 January, 2026
  • MINUTA E FUNDIT – Lëndë plasëse në derën e servisit në Shelqet të Vau Dejësit, policia jep detajet e para 12 January, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e hënë, 12 janar 2026… 12 January, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e hënë, 12 janar 2026… 12 January, 2026
  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e hënë, 12 janar 2026… 12 January, 2026
  • PERSONAZH – Ditëlindja e një zonje shkodrane të skenës dhe ekranit, për Zyliha Milotin vitet janë thjesht numra! 11 January, 2026
  • NGA ILIR META – Arben Ahmetaj, një luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë… 11 January, 2026
  • VIDEO – Zonat malore të qarkut Shkodër nën “pushtetin” e borës, trashësia arrin deri në 120 cm… 11 January, 2026
  • Zvogëlohet sipërfaqja nën ujë në Bashkinë Shkodër, ja si paraqitet situata në territor këtë të diel… 11 January, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e diel, 11 janar 2026… 11 January, 2026
ame sidebar

TË FUNDIT

bashkia malesi e madhe

SKEMA E MASHTRIMIT – “Jemi miqtë e Toninit”, si i zhvati grupi i Florian Gjergjit 40 mijë euro biznesmenit shkodran

ShkodraWeb 12 January, 2026 0
permbytje shkoder 2026

Dyfishohet sipërfaqja nën ujë në territorin e Bashkisë Shkodër, arrin në 945 hektarë tokë…

ShkodraWeb 12 January, 2026 0
arrestim shkoder 2025

Policia e Shkodrës arreston dy të rinj, uniformat blu ekzekutojnë vendimet e gjykatës së shkallës së parë

ShkodraWeb 12 January, 2026 0
minuta fundit 2025

MINUTA E FUNDIT – Lëndë plasëse në derën e servisit në Shelqet të Vau Dejësit, policia jep detajet e para

ShkodraWeb 12 January, 2026 0
  • KUSH JEMI
  • KODI ETIK
  • PËRDORIMI
  • PRIVATËSIA
  • KONTAKTE
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
Portali më i klikuar në Veri | Nga 2017, Media e Lirë Online, me parimin “E Verteta nuk negociohet, sepse e Verteta të bën të lirë”. Informim, formim & argëtim, çdo gjë për audiencën. Ky është misioni ynë | Copyright ShkodraWeb © 2017- 2025 | Të drejtat të rezervuara | ShkodraWeb nga BDgraphDesign.