Para më shumë se 100 viteve, ata që i dhanë jetë Shoqnisë “Vllaznia”, nuk kishin parashikuar situatën aspak normale që po kalon procesi i privatizimit të trashëgimtarit direkt, KF Vllaznia sh.a. Kësaj legjende ka nisur ti bëhet gjyqi. Po shpallen heronj dhe tradhëtarë, duke patur në thelb borxhe, para, interesa financiare.
Kaq poshtë duhet të bien mbi 100 vite lavdi, krenari por edhe arritje sportive? Sot kjo emblemë, fatkeqësisht nuk po trajtohet as më pak e as më shumë se një plaçkë tregu. Procesi i shitjes me ankand të hapur publik, e ka vënë këtë klub pioner të sportit shqiptar, në syrin e ciklonit mediatik.
E gjithë kjo po ndodh në momentin më të mirë të paktën të 10 viteve të fundit, pak ditë pasi ishim pretendentë për titull kampion e pas rreth 48 orëve, shpresojmë të ngrejmë lart Kupën e Shqipërisë, duke i dhënë Shkodrës një trofe pas 13 viteve mungesë dhe duke qenë pretendent edhe për një tjetër, Superkupën.
Procesi i ankandit, nuk është një proces i lehtë. Nuk mund të jetë pa probleme, pa pasaktësi, pa hatërmbetje. Vllaznia jonë është një “nuse”. E korkojnë 100 apo 1000 dhëndurrë dhe siç ndodh në jetën njerëzore, vetëm një “burrë” do ta marrë. Të paktën në këtë hap të parë, duke shpresuar të mos ketë “divorce”.
Almiro Gurakuqi, Alban Xhaferi dhe një tjetër zotëri që sipas gjasave u tërhoq, kanë vënë kandidaturë tek Vllaznia. Njësia e Ankandit, ka marrë vendim duke lënë në garë për fazën finale të ankandit vetëm një person. Nëse Njësia e Ankandit ka gabuar, ka vepruar “nën ndikim” siç shprehet i skualifikuari, ka mundësi ankimimi.
Ankimimi është bërë tek Autoriteti Shitës, Bashkia Shkodër, si pronare e 100% të aksioneve. I skualifikuari ka marrë një përgjigje, duke mos iu marrë parasysh ankimimi. Fatmirësisht për të, ka edhe një mundësi tjetër. Mund të ankimohet tek Komisioni i Prokurorimeve Publike, një organ që jep vendim urdhërues për Autoritetin Shitës, për ta futur në garë të skualifikuarin. E në fund fare, vendimi mund të ankimohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, të Apelit Administrativ që jep verdiktin përfundimtar.
Pse ishte e nevojshme që gjithë kjo procedurë të bëhej publike? Pse problemet e Vllaznisë, në momentin më të mirë të saj, duhet të shpërfaqeshin publikisht? A është kjo një formë presioni, duke përdorur mediat dhe sigurisht, duke dëmtuar rëndë, shumë rëndë Vllazninë? A mund të lejohet të shihet Vllaznia 100 vjeçare thjesht dhe vetëm si një “plaçkë tregu” që duhet marrë “me çdo kusht” siç deklaroi në Shkodër i skualifikuari? Pse nuk u veprua, ashtu si në fazat e tjera, pa u shpërfaqur publikisht, por duke ndjekur hapat ligjorë siç edhe po ndiqen?
Po! Nuk është sekret, Vllaznia ka borxhe. Janë akumuluar në vite, janë të njohura dhe transparente, minimalisht përmes Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Ndoshta ka nevojë edhe për një shoshitje të re të problemeve financiare, por ofertuesit e dinin apo duhej ta dinin faktin e ekzistencës së borxheve.
Po! Ai që blen me ankand Vllazninë, do të marrë përsipër edhe borxhet e akumuluara, qofshin ato shumë apo pak. Por një gjë është e sigurtë, të gjitha paratë janë dhënë nga taksapaguesit shkodranë në 10 vitet e fundit, nisur nga 2011. Ka një Këshill Bashkiak që ka përgjegjësinë direkt si pronar i KF Vllaznia. E përtej kësaj, ka audite, kontrolle financiare dhe KLSH që ka instrumentet e duhura për të bërë transparencë maksimale. Nuk ka mbetur që ajo të realizohet tani dhe nga një individ, i cili thotë se ia do të mirën Vllaznisë, është tifoz i çmendur i saj.
Por a është ky momenti? A është ky momenti të diskutohet se ku u morën lekët për të paguar borxhet në tatime që i hapën rrugën Vllaznisë për pjesë marrje në Kupat e Europës? A është momenti i duhur që përmes pjesës financiare (shumë e rëndësishme) të dëmtohet pjesa sportive, shumë më e rëndësishme se 1, 2 apo 5 milion dollarë? A i intereson tani, në këtë moment, Vllaznisë dhe tifozëve të saj hapja e këtij diskutimi?
Vllaznia jonë është në prag të një etape të re, gati të harruar prej 10 vitesh. Ajo ka nevojë për përqendrim, për mbështetje, për qetësi dhe për përforcime. Fatkeqësisht, në procesin e ankandit po i fryhet edhe një “zjarri” që në Shkodër nuk mund të ndizet kurrë, pasi bashkëjetesa jonë i ka rrënjët mijëravjeçare.
Nuk mund të përmendim emra, por po i përmbledhim të gjithë tek Historia. Është visari më i çmuar, trashëgimia më e vyer, krenaria më e madhe e çdo shkodrani e shqiptari. Në fushën e blertë, Vllaznia dha djersë, mund por edhe jetë. Emrat më të shquar të sportit, jo rastësisht i përkasin kësaj embleme. Sot kjo emblemë nuk mund të shihet vetëm si një biznes. Brenda saj kanë depozituar shpirtin qindra e mijëra tifozë, brenda e jashtë Shkodrës dhe Shqipërisë.
Të paralajmërosh rrugë gjyqësore nëse pas Bashkisë Shkodër të rrëzon pretendimet edhe KPP- ja, dy instanca totalisht të pavarura dhe aspak miqësore me njëra- tjetrën edhe në kuptimin politik të fjalës, tregon se Vllaznia nuk të intereson edhe aq shumë por të intereson emri dhe përdorimi i saj si biznes. Aq më shumë kur rrugët gjyqësore në këtë vend janë thuajse të pafundme dhe pa mbarim. Fakti që këmbëngulet në këtë linjë, nuk lë shije aspak të mirë dhe qartazi, e dëmton rëndë, ndoshta në mënyrë të pariparueshme Vllazninë e Kupave të Europës dhe sezonit të ri.
Të gjithë e dimë vitin 1919, shumë edhe datën 16 shkurt. Por nuk besoj se ndokush e kujton sa para, franga apo lekë, i kushtoi themeluesve të Shoqnisë “Vllaznia” krijimi i saj para më shumë se 100 viteve. Askush nuk e di, përveç ish- presidentëve dhe sponsorëve, sa para janë hedhur tek Vllaznia nga 1990 e këtej. Edhe pse ligjërisht çdo gjë duhej të ishte publike, transparente. Por nuk ka tifoz që nuk e kujton se kur është fituar Kupa e kampionati i fundit, kur kemi luajtur për herë të fundit në Kupat e Europës, kur kemi qarë e kemi qeshur nga suksesi apo dështimi i fundit.
Ju lutemi, mos e përdorni, mos e trajtoni Vllazninë tonë, krenarinë tonë 100 vjeçare thjeshtë dhe vetëm si biznes, si mundësi fitimi për sot apo për nesër. Të gjithë ne, kemi investimin tonë që nuk ka çmim, nuk mund ta blejë e shesë askush, shpirtin! Falë këtij shpirti, që mesa duket ia transmetuam edhe futbollistëve e trajnerëve, sivjet ishim kampionë moralë si nënkampionë, në garë deri në ndeshjen e fundit për trofeun e Kupës dhe Superkupen. Edhe pse Bashkia dhe sponsori së bashku, nuk hodhën këtë sezon më shumë para se të tjerët. Përkundrazi, më shumë se para, rikthyem shpirtin! /Shënim i ShkodraWeb/