SHËNIM I SHKODRAWEB – Për kolegët tanë që menduan vetëm për audiencën e Blendi Fevziut…

Fjala “intimidim” është e rëndë por po e konsiderojmë “impresionim” atë që shqiptarët për më shumë se dy orë, ndoqën në studion e emisionit Opinion. Të paktën tek dy prej tyre, kjo u pa qartë. “Qepe gojën”, “Kush je ti, nuk të njoh”, “Shhhhhhhhht”, ishin vetëm disa nga shprehjet që mbetën në mendjen e atyre që morën guxim- durimin për të ndjekur një bisedë të kryeministrit të vendit me katër gazetarë, prej të cilëve dy u prezantuan e njihen si të “kronikës”. Felvziu natyrshëm, edhe në këtë emisionin si tek të tjerët, fokusin e kishte tek audienca.


Nuk është e lehtë të jesh përballë një kryeministri në një studio televizive, aq më shumë kur e ka emrin Edi Rama. Por gjithmonë, në çdo rast dhe për çdo gjë e ka një zgjidhje: Të shkosh apo të mos shkosh në përballje!

Në vigjilje, emisioni i paralajmëruar ngjallte interes. Ndër herët e pakta, shefi i qeverisë vihej përballë ekspertëve që njohin mjaft mirë “botën e errët”. Disponojnë mijëra informacione zyrtare dhe jo, dinë ti artikulojnë e prezantojnë në momentin e duhur dhe teorikisht, kanë të gjithë mundësinë të vënë para përgjegjësisë apo në siklet “dueluesin” përballë.

Në fakt, emisioni nisi ashtu siç e kishte planifikuar Fevziu por edhe i interesonte vetë Edi Ramës. “Është apo jo e blinduar makina e vëllait me të cilin lëviz kryeministri” dhe “Është profesional apo i anshëm titulli i një të përditshmeje shqiptare”. Nuk disponojmë të dhënat, por sipas gjasave, kjo pjesë e debat- intervistës, nuk është çudi të ketë patur audiencën më të lartë. Shto këtu edhe pohimet e shpeshta të Fevziut “Është kurth, po na fut në kurth”.

Sigurisht, këto rradhë mbase nuk mund ti kuptojë menjëherë, me leximin e parë, çdokush. Duhet pak njohuri nga debatet televizive, intuitë por edhe ndjekje e politikës në vijimësi.

Në një debat televiziv, teorikisht në fund, ka fitues e humbës. Kjo, në bazë të një perceptimi publik, qoftë ai profesional por edhe thjeshtë qytetar. Përciptas u përmend Andreotti i Italisë, duke e paralelizuar me një rast të ngjashëm, ekspozimin e Ramës me një person që sot është subjekt i “OFL”- së dhe para disa viteve, doli në foto me kryeministrin e vendit. Morali? Nuk ka asnjë problem për Ramën, deri sa Andreotti i Italisë, një nga politikanët më të njohur të këtij vendi, edhe pse u përndoq nga sistemi i drejtësisë për mbi 2 dekada për lidhje me mafian, vdiq i pafajshëm! Nga ana tjetër, u “legalizua” çdo gjë në të shkuarën por edhe në të ardhmen e Ramës dhe e politikanëve të tjerë, në ekspozime publike qoftë edhe me persona të inkriminuar.

“Edhe po të shkojë në burg, do ta kem mik Vangjush Dakon”, ishte pohimi tjetër i kryeministrit të këtij vendi. Siç dihet, përveç denoncimeve të opozitës, Dako është zyrtarisht “non grata” nga SHBA. E këta të fundit, janë pika e referimit dhe “frymëzimi” i Ramës nga mëngjesi në darkë. E përsëri, askush nga studio nuk ngulmoi në këtë pikë. E thënë më shqeto, të inkriminuar apo jo, unë do të vazhdoj punën time, marrëdhëniet e mija, pavarësisht nëse jam kryeministër i Shqipërisë.

Por ajo që u vu re nga fillimi në fund, ishte gjuha e rëndë e arrogante e Ramës ndaj gazetarëve, të cilën çuditërisht, edhe mbi “kurrizin e tij”, e mbajti edhe vetë Fevziu. Natyrisht, sepse parësore për të është audienca.

Çdokush ka një perceptim edhe për debat- bisedën e fundit në Opinion. Por besojmë se nuk duhet të jesh shumë profesional, për të kuptuar se emisionin e udhëhoqi dhe e devijoi sipas interesit të tij Edi Rama. Me dashje apo pa dashje, nën intimidim apo impresionim, të tjerët i shkuan pas lojës së tij. Edhe tek fenomeni i kanabizimit të vendit, pavarësisht realitetit tragjikomik, Rama nuk u vu me “shpatulla pas muri”.

E për ta mbyllur, për mëse 2 orë kryeministri bëri një sulm të hapur verbal ndaj gazetarëve në studio e mediave në përgjithësi. E gjithë kjo, duke patur përballë katër gazetarë profesionistë dhe si moderator, gazetarin më të famshëm në hapësirën shqiptare! Dhe nuk është vetëm dhe thjeshtë “çështje audience”. /Shënim i ShkodraWeb Media/