Ka disa ditë që në rrjete sociale ka marrë udhë një fushatë që fton qytetarët shqiptar të votojnë një [X] të madh në të gjithë fletën e votimit me 25 prill 2021. “Uragani Anti-Establishment në Shqipëri”, ka nisur të proklamohet kjo lëvizje, e cila në fakt vetëm kundër asaj që synon të arrijë nuk është. Po përpiqemi ta sqarojmë pse, në një gjuhë të kuptueshme dhe shumë të thjeshtë për të gjithë.
Në një qendër votimi, çdo shqiptar me 25 prill 2021, ka të drejtë të vendosë një shenjë të qartë të vullnetit të tij, duke përcaktuar partinë politike që preferon dhe kandidatin e preferuar nga partia apo koalicioni. Çdo shenjë tjetër, e bën votën të pavlefshme dhe “mundimin” deri në qendrën e votimit, të kotë.
Sigurisht, votuesi ka të drejtë të mos vendosë asnjë shenjë, siç edhe çdo shkarravinë apo slogan tjetër që e kthen fletë- votimin automatikisht të pavlefshëm. Një nga këto shenja, që mbase shpreh edhe pakënaqësinë e këtyre 30 viteve të shumë shqiptarëve, mund të jetë edhe një [X] i madh, ashtu siç fton të veprohet nga kjo lëvizje “Anti-Establishment”.
Është e drejtë e çdokujt që me votën e tij, të bëjë çfarë është më e mirë për të, por të sotmen e të nesrëmen. Nëse votimi do të jetë i fshehtë, askush nuk duhet ta marrë vesh se cili e çoi dëm votën e tij. Mirëpo, a është lëvizje Anti-Establishment të mos marrësh pjesë në votim apo të vendosësh një [X] të madh në të gjithë fletën e votimit?!
Në krye të herës, duhet pranuar se nuk është hera e parë që bëhet një ftesë e tillë publike. Madje, në kohë të ndryshme, janë hedhur miliona euro që kjo lëvizje të kishte sukses. Fakti që vit pas viti, me zor i afrohemi pjesëmarrjes 50% në votime, tregon se kjo lëvizje nuk është se nuk ka patur sukses. Për ta bëtë më të qartë, për fatin tim, vendos komshiu im sepse unë zgjedh të mos votoj. Një në dy shqiptarë, lë fatin e tij në dorën e dikujt tjetër.
Në Shqipëri nuk ka një përqindje pjesëmarrjeje në votime, nën të cilën, zgjedhjet mund të quhen të pavlefshme. Shembulli më i vlefshëm dhe i freskët është ai i 30 qershor 2019, ku sot bashki të vendit qeverisen edhe pse në votime nuk morën pjesë më shumë se 10- 15% e qytetarëve respektivë.
Po ashtu, është e sigurtë se do të marrin pjesë në votime të gjithë ata, që direkt ose indirekt, janë të detyuar qoftë për të ruajtur vendin e punës, për bindje të konsoliduar politike apo edhe “tifozllëk” partiak. Sepse nuk po flasim për motivim nga paratë, thasët me miell, një vend pune i premtuar, fenomene që tashmë janë të njohura.
Pjesëmarrja e ulët të votime apo dekurajimi i pjesëmarrjes në zgjedhje edhe përmes vendosjes së një [X] të madh në të gjithë fletën e votimit, nuk ka më të voglin dyshim se shkon të favor të atyre që janë në pushtet. Është një rregull i përbotshëm, i gjithëpranuar e i provuar se abstenimi favorizon pushtetmbajtësit.
Natyrisht, shumë nga ne jemi të pakënaqur nga politika e 30 viteve. Ndoshta kjo pakënaqësi ka ardhur edhe nga fakti se nuk e kemi vlerësuar votën tonë, duke e lënë që shpesh të shkojë dëm, të jetë e pavlefshme. Mbase edhe na e kanë tjetërsuar votën apo e kanë numëruar në krahun e kundërt nga ne e kemi nisur. Po asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është zgjidhje që të mos votosh, të abstenosh apo të të vendosësh një [X] të madh në të gjithë fletën e votimit.
Në këtë rast, nuk bën asgjë tjetër veçse indirekt, mbështet Establishmentin, atë që mendon se po dëmton apo rrëzon. Vota është e jotja, e drejtë që e zotëron vetëm një herë në dy apo katër vjet. Zotëroje, përdore, gjyko dhe vendos! Voto për atë që të bind më shumë, që i beson më shumë, me mendje por edhe me zemër. Voto atë që njeh, që vlerëson, jo thjeshtë nga sigla apo logoja e një partie. Sepse sivjet, edhe pse jp plotësisht, ke të drejtë të zgjedhësh edhe individin, jo thjeshtë një logo të ftohtë partie! Mos paragjyko, ndoshta është momenti kur vota jote, vetëm vota jote, mund të vendosë shumë për ty, fëmijët, të sotmen e të nesermen! Mbase mund të ndjehesh edhe krenar për zgjedhjen tënde! /Shënim i ShkodraWeb Media/