SHËNIM I SHKODRAWEB – Fillimi i largimit të butë të Ramës ose…a po gabon sërish Lulzim Basha me uljen në tryezë…?!

Humbje apo fitore për Bashën e PD- në? Kjo është pyetja që po mundon prej disa orësh tashmë mbështetës e antarë të PD- së e opozitës teksa kanë parë të ulur në një tryezë për Reformën zgjedhore dy të dërguarit e Bashës me Damian Gjiknurin, zyrtarisht i shpallur nga e djathta jashtëparlamentare si “hajdut i zgjedhjeve”.

Nuk kam patur dyshim se ulja në tryezë, ishte mjaft afër. Edhe atëherë kur opozita e bashkuar, me mijëra vetë mbushte sheshin para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Jo se jam orakull, parashikues. Por sepse e di si funksionon politika shqiptare tash 30 vjet. Ajo që shohim e dëgjojmë ne, është vetëm maja e ajsbergut, më e parëndësishmja. Pjesa e padukshme, është vendimtarja. Siç ishte edhe në këtë rast.

Opozita është ulur në tryezën e Reformës Zgjedhore jo me qejf të madh. Nuk përbën sekret se përsëri i janë imponuar në zgjedhjen e saj nga jashtë vendit. Nga ata që realisht kanë në dorë fatet e vendit tonë. Përfitimi i parë, nëse mund të konsiderohet i tillë, lidhet me marrjen e një date për çeljen e negociatave. Ndërsa është planifikuar që Reforma Zgjedhore të përfundojë brenda 15 marsit 2020, deri në fund të muajit të parë të pranverës, nuk do të ishte surprizë nëse Brukseli ti jepte “dritën jeshile” për negociatat për vendin tonë. Marrëveshja mund të jetë nxitja, por padyshim bonusin më të madh e merr Edi Rama dhe mazhoranca. Kush nuk e kupton kaq gjë, lodhet kot të lexojë në shqip.

Opozita nuk mendoj se është ulur ashtu, badihava, në tryezë me një person që e anatemonte si demonin e manipulimit të vullnetit të shqiptarëve e zgjedhjeve në këtë vend. Sigurisht, ka marrë një bonus. Sipas gjasave, zgjedhje të tjera vendore, me kod të ri e konsensual, në kapërcyell të vitit që u zhvilluan ato qesharako- moniste të 30 qershorit. Mund të jetë edhe një “provë gjenerale”, për ato që sipas gjasave, i mbesin vitit 2021, zgjedhjet politike. Ky, një bonus deri diku, për Edi Ramën e mazhorancën.

Çdo tryezë dialogu, është e duhet të jetë e mirëpritur. Por shqiptarët, e sidomos demokratët, kanë kujtime aspak të këndshme nga tryezat e Bashës me Ramën. Sepse edhe kjo e sotmja, ishte një tryezë Basha- Rama, natyrisht me fytyra të tjera, ato që patë në video e në foto. Suksesi i parë i kësaj tryeze, është mosndryshimi i sistemit. Listat do të jenë të mbyllura e kryetarët do të jenë si noterë të deputetëve që do të dalin nga firma e tyre që në momentin e futjes në kandidim. Kjo lëvizje ka kënaqur LSI-në por edhe aleatët e tjerë, që sipas gjasave do të kenë vende të sigurta, të salduara në listat e PD- së në qarqe.

E në finale, i bie që janë të gjithë të kënaqur. Kënaqësi që mesa duket, do të vazhdojë të rritet me shpeshtimin e takimeve për Reformën Zgjedhore e jo vetëm e që nuk është aspak çudi të kulmojë me një pakt kombëtar Opozitë e Bashkuar- Basha- Mazhoranca- Rama. Të pakënaqurit e vetëm, mund të jenë ata të opozitës së re. Të parat shenja, i dha sot “shefja” Rudina Hajdari, e cila teksa e sheh se i mbarojnë “orët e punës” në Kuvend, vazhdon të këmbëngulë në ndryshimin e sistemit. E vetmja mundësi për “pengmarrje” të “dashurisë së re”, opozitë- mazhorancë, janë numrat e opozitës së re në Kuvend. Por edhe ato sipas gjasave, mund të “vihen në rresht” nga të huajt e fuqishëm për të krijuar shumicën e cilësuar të nevojshme për Kodin Zgjedhor. Pak a shumë, edhe pse janë “renegatë” e “tradhëtarë” të PD-së, ata që janë sot në Kuvend, votat e tyre do ti dërgojnë aty ku u sugjeron Partia Demokratike jashtë parlamentit.

E ndërsa shumë mendojnë përgjigjen e pyetjes me të cilën u nisën këto rreshta, marrëveshja e 17-18 majit 2017 është akoma e freskët. E në mungesë të përgjigjes, mbase mund të ketë edhe pyetje të tipit: A po gabon sërish Lulzim Basha…?! Apo është fillimi i largimit të butë të Edi Ramës…?!/ShkodraWeb Media/


Për t’u bërë pjesë e grupit të "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal