SHËNIM I SHKODRAWEB – A mund të pranojë Rama propozimet e Bashës për “krizën energjitike” të pritshme…?!

Asnjëherë kryeministri Rama nuk kishte folur kërcënueshëm kaq shqeto sa sot. Në këto 8 vite që qeveris vendin, kishte folur për “burg, burg, burg” por asnjëherë nuk kishte deklaruar se “do të përballemi me çmime marramendëse”. E pas kësaj, si për “të na dhënë zemër”, shtoi edhe paralajmërimin tjetër “mund të ketë efekte tronditëse”.

Po flasim për ekonomi, për çmimin e energjisë elektrike, që sipas kryeministrit, është rritur në të gjitha tregjet. Në fakt, të gjithë shqiptarët kanë të afërm që jetojnë në vende të tjera si Italia, SHBA- ja, Franca e Gjermania. Komunikojmë shpesh, por askush nuk ka ka folur për efekte tronditëse të pritshme. Edhe nëse duhet rritur çmimi i energjisë elektrike, pasi kanë kaluar disa vite që është ngrirë, kryeministri mund ta bënte shumë më thjeshtë. Mblidhej Enti Rregullator i Energjisë (ERRE), shqyrtonte e miratonte një kerkesë të KESH dhe kaq. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe mund të ndodhte edhe këtë herë. Ne shqiptarëve na është regjur lëkura dhe durojmë shumë…


Por pas paralajmërimeve të kryeministrit të vendit, doli “kryeministri në hije” siç quhet në çdo vend lideri i opozitës dhe dha një agjendë me 7 propozime konkrete që mund të parandalojnë efektin tronditës të mundshme. Sigurisht jo për të gjithë botën që po përgatitet të futet në këtë pandemi të re, por për të paktën për një lagje të Nju Jorkut, siç mund të konsiderohet Shqipëria e sotme. Në parantezë, duket e çunditshme që nuk i ka rënë akoma këmbanave të alarmit homologu i kryeministrit Rama në Kosovë, Albin Kurti. Aq më shumë kur dihet se burimet hidrike e hidrocentralet të paktën, janë shumë të më pakta dhe që varen nga një shtet jo gjithmonë mik, si Serbia.

Propozimet konkrete të Lulzim Bashës ishin si më poshtë:

1- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;

2- Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;

3- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;

4- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;

5- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.

6- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.

7 – Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.

Dy pikat e para realizohen krejt lehtë me një mbledhje qeverie dhe vendimin përkatës. E nëse veprohet kështu e menjëherë, “laku” ekonomik në fytin e shumë familjeve shqiptare, lirohet dukshëm. Pika e tretë vështirë të realizohet jo vetëm nga kjo qeveri por edhe të tjera para e pas saj. Teorikisht, disa shtresa sociale përfitojnë subvencionim të çmimit të energjisë, subvencion i cili duhet rritur nëse do të rritet çmimi i energjisë. Edhe këtë, kjo qeveri e ka të lehtë ta realizojë. Sa i takon pikës 5 për OSHEE dhe KESH, edhe kjo realizohet lehtë, meqenëse janë shoqëri aksionare me kapital shtetëror. Dy pikat e fundit, 6 dhe 7, mbase mund të merren parasysh për buxhetin e vitit që vjen se për këtë vit, thuajse çdo gjë ka përfunduar financiarisht.

Po a mund ti marrë parasysh këto pika kryeministri Rama, aq më shumë të propozuara nga “kryeministri në hije” pak minuta pasi shefi i qeverisë paralajmëroi gjënën? Jo rallë herë opozitë- opozitë janë akuzuar për vjedhje të propozimeve e programeve reciprokisht. Sepse jetojmë në Shqipëri. Por këtë herë, edhe nëse është dakort me një apo disa nga propozimet e Bashës, Rama e ka më të vështirë ti pranojë. Është folur shpesh, madje edhe sot, për bashkëpunim të pritshëm deri në bashkëqeverisje. Në rrjete sociale, “kombinimin” e sotëm Rama- Basha e kanë konsideruar edhe si “hapin e parë”. /Shënim i ShkodraWeb/