
“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s! Më në fund.”. Shënimi është i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili prej më shumë se 5 vitesh qeveris vendin tonë. Formimi i tij si piktor, ndoshta i jep të drejtë të japë një opinion për këtë vepër, ashtu siç shprehet prej muajsh edhe për Teatrin Kombëtar. Por ai tashmë nuk mbetet tek fjalët…i bën ato realitet.
Prej 6 vitesh në një nga kryqëzimet në hyrje të Tiranës, “Shqiponja” i kishte dhënë edhe emrin këtij sheshi. Tani që unaza e re e kryeqytetit po nis të ndërtohet, hiqet edhe monumenti që për shqiptarët, kishte një konotacion jo të parëndësishëm: 100- vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë! Nëse kishte diçka që kujtonte këtë ngjarje të rradhë për çdo shtet, ishte torta dhe bashkë me të, “Shqiponja”. Tani që ky monument u hoq (sipas gjasave për të mos u rikthyer më aty ku ishte), përvjetori i 100- të i pavarësisë do të sjellë në vëmendje vetëm tortën dhe atë që ndodhi me ëmbëlsirën atë ditë në Tiranë.
Për tu rikthyer pak në kohë, vepra “Shqiponja”ishte vepër e Albi Çifligu dhe u mbështet financiarisht nga familja e njoshur shqiptare Destani nga Tetova. Natyrisht, para vendosjes në atë vend, duhej miratimi i Bashkisë së Tiranës dhe i KRRT-së së Republikës. Askush nuk mund të besojë se një momument i tillë, me ato përmasa, në hyrje të kryeqytetit të shqiptarëve, mund të vendosej ka lejet e mësipërme. E vendimi është marrë nga Basha si kryebashkiak i Tiranës dhe Berisha si kryeministër i asaj kohe.
Sot Rama e konsideron vulgaritet simbolin. Edhe pse, përveçse si vepër arti, ajo përfaqëson shpendin që i ka dhënë emrin këtij trualli dhe banorëve të saj. Jo vetëm kaq. Shqiponja është thuajse e shenjtë për shqiptarët, sa herë që ndodhemi përballë, nderojmë apo puthim flamurin me këtë shpend.
Edi Rama mund të ketë shijet e tij artistike. Por nuk mund ti lejohet t’i vendosë ato në qendër të asaj, që për hir të postit të përkohshëm, ka mundësinë të bëjë. Në rastin e “Shqiponjës”, çdo gjë ndpdhi tak- fak, si të ishte mall pa zot. U ngrys një natë dhe mëngjesin e nesërm, “Shqiponja” ishte zhdukur. Edhe më herët Rama vuri në zbatim shijet e tij personale në Tiranë, siç ishte rasti i “fasadave”, të cilat krijuan jo pak polemika. Por megjithatë, ai e çoi deri në fund fantazinë e tij artistike, pavarësisht nëse i pelqente edhe banorëve të vetë pallateve që u bojatisën. Pasi mati pulsin me një simbol kombëtar si “Shqiponja”, Rama do të ketë më të lehtë që një natë të bukur, të shembë edhe Teatrin Kombëtar. Sepse edhe në rastin e “Shqiponjës”, reagimi i opozitës është anemik, periferik, me përjashtim të ish- kryeministrit Sali Berisha.
Para disa viteve në Shkodër, Shatërvani në qendër të Shkodrës, që i ka dhënë emrin edhe sheshit kryesor, u shemb për të ndërtuar një tjetër më “modern”. Shkodra kishte një shatërvan të veçantë për kohën, i cili pas atij të Tiranës, mbahej më moderni. “Ngjyroste” ujin me disa ngjyra. Pas 1990- ës, si shumëçka tjetër, edhe ai u la pas dore. Fare mirë mund të kthehej funksional, ndërsa forma e tij nga lart, ngjasonte me petalet e një luleje. Një ditë të bukur, kryebashkiaku i kohës, mori vendimin për të ndërtuar një të ri në vendin e shatërvanit “komunist”. Si rrjedhojë, Shkodra ka sot dy vaska të pabukura në qendër të qytetit, funksioni i vetëm i të cilave mund të jetë peshkimi, nëse dikush hedh rasat peshku. Përveç se në verë, fëmijët zhyten për të larguar të nxehtin. Ato ditë në Shkodër qarkullonte një barcaletë se “shatërvani duhej hequr me çdo kusht sepse sa herë binte fjala për të, thuhej se është bërë në kohën e Muho Asllanit, ish- sekretar i parë i PPSH në Shkodër”.
Edhe pse disa vite më pas, edhe heqja e “Shqiponjës” në Tiranë nuk gjen logjikë tjetër. Është bërë me bekimin e Basha- Berisha në 2012 dhe natyrisht nuk është “i bukur”, është vulgaritet siç thotë Rama. /Nga Blerti DELIJA/