Paraardhësit e tij Meidani, Moisiu, Topi dhe Nishani e thanë qartë se presidenti tejkaloi kompetencat për mosdekretimin e Sandër Lleshit si ministër i brendshëm pas propozimit të kryeministrit. Ky i fundit në Kuvend uroi që të mos shkohet nga “krisja në thyerje” të marrëdhieve me kreun e shtetit. Më herët presidenti e tha qartë se koha e “sekretarit të parë” ka përfunduar. Realisht, si po luhet “shahu” politik në Shqipëri?
Pas mosdekretimit të Lleshit, presidenti Meta bëri dy lëvizje. Fillimisht propozoi emrin e Vitore Tusha për kryetare të KLSH-së. Më pas, thuajse pas një viti nga mosdekretimi, miratoi Helidon Bendon në krye të SHISH. Është e qartë se dekretimi i Lleshit është lëvizja e tretë që pritet nga Meta por nëse realizohen me sukses lëvizjet paraardhëse.
Vitore Tusha është thuajse “opozitare” sot por edhe më herët, të paktën nga historia e vendimit për Fatos Nanon e dënuar dhe të paliruar nga jo. Meta i dha një shenjë Ramës me dekretimin e Bendos. Natyrshëm pret që Rama ti kalojë dhe miratojë në Kuvend Tushen në krye të KLSH-së. Pas këtyre dy lëvizjeve, mbase do të ketë zhvillim të ri: Meta të dekretojë ministër Lleshin ose Rama të dërgojë emër tjetër në presidencë.
Në varësi të kësaj lëvizje, do të kuptohet edhe “shahu” politik.
Figura e presidentit në një republikë kryeministrore si e jona, është në kufinjtë e honorifikut. Por diferencën e bën emri i presidentit, Ilir Meta. Një politikan profesionist, që të vetmen punë në jetën e tij ka kryetarin, ministrin, zëvendëskryeministrin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin, një Kushtetutë kryeministrore dukshëm i rri “ngushtë”. Tani që roli i tij do zbehet edhe më si kryetar i “qeverisë së drejtësisë”, do të kërkojë të ketë njerëzit e tij në pozicionet kushtetuese “të pavarura”. Për të arritur këtë, duhet një marrëveshje dhe për të shkuar tek ajo, duhen disa lëvizje paraprake. Prova force.
Sandër Lleshi për të dy palët, është thjesht një instrument i matjes së forcës. Ndërsa në bashkëqeverisje, qoftë edhe nga posti i kryetarit të Kuvendit, Meta e konsideronte Ramën njëfarësoj “shefi”, të paktën të mazhorancës, sot presidenti e sheh vetën më të plotfuqishëm. Po ashtu, veprime- mosveprimet e tij nuk mund të dëmtojnë më një bashkëqeverisje PS- LSI, por vetëm atë të kryeministrit Rama. Qartas Meta po pozicionohet në opozitë, në të njëtin krah me PD-në dhe LSI-në e drejtuar nga bashkëshortja Kryemadhi. Natyrisht, Meta ka gjithë aftësinë dhe mundësinë që gjësë ti japë fasadën e një përballje institucionale në interes të vendit. Realisht Meta po punon për Metën pasi të mos jetë më president me synim shkurtimin e jetës së qeverisjes së Ramës. E siç ndodh gjitmonë në politikë, “qëllimi justifikon mjetin”. Por përballë Metës është një kokëfortë si Edi Rama. Kokëfortë dhe “timonier” i vetëm i vendit i emëruar nga shqiptarët. Në një farë mënyre, Rama e nxorri Metën jashtë politikës aktive duke e ngjitur me “detyrim- përcaktim” në Presidencë. Të njëjtën gjë do të përpiqet të bëjë Meta me Ramën, mbase për të tentuar ta nxjerrë totalisht jashtë politikës…duke e dobësuar me goditje.
Më shumë se “shah” politik, jemi në një luftë të nisur ku fitorja e betejave nuk ka shumë rëndësi për palët. Fitorja e luftës është ajo që tregon edhe triumfatorin. Por vetëm tani lufta ka dalë në sipërfaqe. Aq sa mund të lejojë të shohësh “ajsbergu” politik shqiptar. /Nga Blerti DELIJA/