Sikur të mos mjaftojë fakti që kanë 4 javë pa fituar dhe renditen në vendin e 8-të, Vllaznisë do t’i duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesa në mbrojtje. Zyrtarisht Renato Malota nuk do të luajë kundër Luftëtarit, por rrezikon që të mos jetë i vetmi. Filip Gligorov dhe Erdenis Gurishta janë të dëmtuar, ndërsa në shqetësim po kthehen edhe virozat e stinës. Disa lojtarë kanë kaluar gjendje gripale, ndaj stafi teknik po “lutet” që të mos sjellë të tjera pasoja.
Nëse qendërmbrojtësi lezhjan është i skualifikuar prej të verdhëve, ndryshe paraqitet situata për Filip Gligorovin dhe Erdenis Gurishtën. Maqedonasit i janë rikthyer shqetësimet në kaviljen e këmbës së majtë, ndërsa shkodrani nuk është në gjendjen e tij optimale prej një dëmtimi që ka pësuar. Këto dy ditë do të jenë përcaktuese për ta, pasi po “luftojnë” me kohën që të jenë gati për javën e 23-të të Kategorisë Superiore.
Megjithatë, për takimin ndaj Luftëtarit ka edhe rikthime tepër të rëndësishme. Ndriçim Shtubina pasi ezauroi pezullimin prej të verdhëve, është totalisht gati për këtë ndeshje. Po ashtu nën urdhrat e Mirsad Jonuzit do të jetë edhe Dajan Shehi, i cili ka kaluar gjendjen gripale.
Ai do të jetë partneri i Adilit, duke zëvendësuar kështu Malotën. Shpresohet vetëm që listës së mungesave të mos u shtohen të tjerë, pasi zgjedhjet për stafin teknik do të bëheshin shumë herë më të vështira dhe sidomos tani që fitorja është detyrim.