Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, është i bindur se ekipi shkodran edhe kundër Teutës do të vazhdojë serinë e fitoreve. Sipas tij, skuadra gëzon një formë të mirë dhe këtë duhet ta vërtetojë sot në orën 19:00, në “Loro Boriçi”. Ëndrra e Likës është që të shikojë stadiumin të mbushur si në takimin e fundit të kampionatit të kaluar, VllazniaTirana. Mesfushori premton se kuqeblutë do të bindin çdo tifoz.
Gilman, për herë të parë do të mbani shiritin e kapitenit të Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Çfarë ndieni?
Është diçka ekstra që më kanë besuar shiritin e kapitenit. Duhet t’i falënderoj të gjithë, profesorin të parin që më ka besuar këtë detyrë. Është diçka personale, por ne na duhet të punojmë fort si ekip, sepse kanë më shumë rëndësi fitoret sesa shiriti i kapitenit.
Si e shikoni këtë skuadër nga ajo e një sezoni më parë?
Unë besoj se do të jetë një Vllazni ndryshe, por them se duhet të punojmë shumë dhe të sakrifikojmë, në mënyrë që ta tregojmë atë në fushën e lojës dhe jo nëpër gazeta.
Prisni Teutën në Shkodër, çfarë do të kërkojë Vllaznia në këtë takim?
Sigurisht që do të jetë ndeshje e vështirë. Nëse nuk e vlerëson maksimalisht, për mua është shumë e vështirë. Edhe ndeshja me Teutën, duke e ditur edhe që vitet e fundit kanë bërë një futboll shumë dinjitoz, mendoj se do të jetë e fortë, por i kemi aftësitë dhe cilësitë për ta fituar.
Çfarë u premtoni tifozëve shkodranë?
Unë kam shumë dëshirë që stadiumi të mbushet plot. Sigurisht që kjo të ndodhë sot, por jam i sigurt në të ardhmen tifozët do të jenë të shumtë në numër. Na mbetet që të bëjmë maksimumin, duke pasur një ecuri pozitive. Jam i sigurt, që siç e dini edhe ju vetë, që kur ke një ecuri pozitive, tifozët kthehen në stadium.
Është kjo një Vllazni më e bukur?
Ajo që shoh unë te grupi, jo vetëm në ndeshjen e parë, por komplet fazën përgatitore që kemi bërë, mendoj që kemi shumë lojtarë që kanë cilësi të jashtëzakonshme. Por duhet më tepër besim në vetvete.
Sulmi është përforcuar me Ribajn, mendoni se do të jeni më efikas?
Sigurisht që Ribaj ka për të na ndihmuar. Ai është një lojtar i evidentuar në Superligën shqiptare. Duke ditur që edhe në repartin e sulmit kishim vetëm një lojtar, e kishim medoemos ardhjen e një tjetri. Mendoj se Ribaj është një afrim pozitiv për skuadrën tonë. /Nga ADMIR URUÇI/