
Kryebashkiakja Voltana Ademi ka vizituar ekipin e Vllaznisë pak orë para sfidës hapëse të Supërligës me Kukësin në Shkodër. Në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër janë publikuar disa foto, të shoqërara me një mesazh, që nga mënyra e të shkruarit mund të jetë postuar nga vetë kryebashkiakja Ademi. “Në mbështetje të Vllaznisë pak orë para rifillimit të Supërliges dhe ndeshjes me Kukësin në Shkodër.
Mbrëmjen e sotme takova stafin drejtues dhe futbollistët e Vllaznisë të grumbulluar në prag të sfidës së parë për Supërligën me Kukësin në Shkodër.
Gjatë takimit bashkëbisedova lidhur me ecurinë e fazës përgatitore dhe rifillimin e kampionatit. I garantova në emrin e Bashkisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe i urova për një rezultat pozitiv në ndeshjen e të premtes me Kukësin në “Loro Boriçi”.
Përfitoj nga ky rast, ti bëj thirrje tifozëve të zjarrtë kuqeblu të mbushin shkallët e stadiumit në mbështetje të Vllaznisë. Të gjithë bashkë do ia dalim!”, përfundon mesazhi i kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi.