Personi që shihni në foton më poshtë është Bledar Jambelli, ose i quajtur edhe ndryshe Rikardo Muho. Ai është zbuluar nga hetimet si personi i dyshuar që ka urdhëruar vrasjen e kryekomisar Artan Cukut.
Por cfarë e lidhte të dyshuarin me kryekomisarin e ndjerë?
Sipas të dhënave, kryekomisari i ndjerë Cuku, në dhjetor të vitit 2012 ka arrestuar shtetasin Bledar Jambelli. Arrestimi i tij u krye për vrasjen e Armando Delajt.
Vrasja e Delajt ka ndodhur më 4 shtator 2012 në Vlorë. Por ky ekzekutim, çoi në zbardhjen e një tjetër ngjarjeje të rëndë në Pus-Mezin në vitin 2006, ku mbetën të vrarë Shpëtim Muka, Ervis Shehu dhe u plagos Edvin Zanaj.
Krimi që kishte lidhje me Mukën dhe nipin e tij Zanaj, e kishte zanafillën që me një vrasje mes shqiptarësh në Spanjë.
Më pas, eliminimet pasuan njëra-tjetrën në Vlorë e Tiranë, mes të cilëve edhe oficerja e marinës, Leonora Rama.
Ngjarja e Pus-Mezinit që ndodhi më 30 dhjetor 2006, mbeti e pazbardhur për rreth 7 vite, derisa një tjetër vrasje tronditi Vlorën më 4 shtator 2012.
Në këtë ngjarje mbeti i vrarë në lokalin e tij 27-vjeçari Delaj, u plagosën rëndë edhe dy klientë të tij.
Autori i dyshuar, shtetasi Bledar Jambelli apo, siç njihet ndryshe edhe si Rikard Muho, u arrestua rreth në 2013 në Aeroportin e Rinasit në tentativë për t’u larguar jashtë shtetit.
32-vjeçari nga fshati Mbrostar i Fierit u prangos pasi në bazë të provave shkencore ishte i dyshuar për vrasjen e Delajt.
Ndaj tij Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg me afat” si autor i dyshuar për vrasjen e Delajt, për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Pas arrestimit, Prokuroria nisi hetimet për të provuar shkencërisht edhe autorësinë e vrasjeve të 2006-s, autor i së cilës dyshohej të ishte po Jambelli.
Ai dyshohet edhe për një vrasje në Tiranë, krime të cilat i ka kryer me pagesë.
Prokuroria pasi rifilloi hetimin, e në bazë të provave të grumbulluara kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg pa afat” ndaj këtij shtetasi si autor i dyshuar për tri vrasje dhe tri plagosje.