NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

“Sëmundja e kondicionerit” dhe virozat mbushin spitalet këto ditë të fundit të verës…

Stina e verës shoqërohet me viroza, por gjendja ndërlikohet pasi njerëzit për shkak të pushimeve verore, zhvendosen nga vendet e banimit ku kanë afër qendra shëndetësore dhe spitale, drejt vendeve të pushimit të cilat mund të mos i njohin mirë për t’u drejtuar në rast të një emergjence shëndetësore.


Mjekja infeksioniste Kozeta Hoxha tregon për fluksin e madh që po përballojnë këto ditë të nxehta.

“Mund të themi se tani është periudhë virozash, të cilat shprehen me të vjella, diarre, e ndonjëherë me temperaturë. Kjo virozë kap më shumë fëmijët e vegjël nën 5 vjeç dhe moshat e rritura, tek të cilët futen të sëmurët me sëmundje kronike dhe moshat e treta”, tha Kozeta Hoxha, mjeke infeksioniste.

Sipas doktoreshës, “Nuk duhet të mungojë asnjëherë në çantën e tyre trisoli, paracetamoli dhe disa gjëra që e ndihmojnë në pushime”.

Përveç shenjave gastrointestinal në këtë periudhë të nxehtë hasen edhe simptoma të tjera.

“Hasim dhe shtim të rasteve me infeksion të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ato kanë shenja klinike rrufën, kollën dhe temperaturën sufebrrile. Këta të sëmurë duhet të paraqiten në qendrat shëndetësore për të marr mjekimin e duhur”, vijon Dr. Kozeta.

Mjekja tregon dhe për një virus ndaj të cilit jemi pak a shumë të ekspozuar të gjithë.

“Legjonela që njihet ndryshe si sëmundja e kondicionerit… u shfaq në vitin 1957. Disa veteran të luftes së Vietnamit u takuan në një hotel ku kishte shumë kondicionerë. Edhe sot është kjo sëmundje, por mjekohet pasi edhe njerëzit janë të vetëdijshëm kur ftohen nga kondicionerët”, thotë doktoresha.