Ngjarjet në gjirin e partisë kryesore të opozitës pas humbjes së thellë të 25 Qershorit kanë treguar një realitet që duket i pandryshueshëm.
Lulzim Basha humbi zgjedhjet e 25 Qershorit thellë, por fitoi garën brenda Partisë Demokratike edhe më thellë sesa në vitin 2013.
Fitorja e tij duket se e ka përcaktuar fatin e Bashës në krye të partisë për së paku 4 vite të tjera, por shumë veta dyshojnë se jetëgjatësia e tij do të jetë edhe më e madhe, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, qoftë lokale të 2019, qoftë atyre të përgjithshme politike të vitit 2021.
E megjithatë, kritikat ndaj tij vazhdojnë, madje në mënyrë të ashpër. Tashmë ka shumë pikëpyetje në opinionin publik lidhur me atë se çfarë realisht kërkojnë kritikët e tij, ata që s’morën pjesë në garë kundër tij në korrik, por edhe ndonjë prej tyre që riskoi gjithçka duke u bërë pjesë e saj, si Eduard Selami.
I ftuar në “Top Story”, Selami theksoi se gara në Partinë Demokratike “nuk nisi si e barabartë, por ishte gjëja e duhur për tu bërë”.
“Pavarësisht se kishte mangësi e manipulime dhe pavarësisht se Basha nuk është prononcuar ende për këtë fakt për turpin e tij, unë prapë i uroj suksese dhe shpresoj që PD të fitojë zgjedhjet e radhës. Unë i qëndroj asaj që nuk bojkotohet partia. Kritikët nuk i shërbyen as vetes dhe as Partisë Demokratike. Kam thënë që fushata ishte e pabarabartë dhe e padrejtë, por unë sërish e njoh legjitimitetin e zotit Basha sepse mendoj se është në të mirë të forcës sime politike”, deklaroi Selami.
Në lidhje me kritikat e Sali Berishës mbi listën e PD-së, Selami u shpreh: “Nuk besoj se lista është bërë pa bekimin e Berishës. Kritikat që i ka bërë Bashës janë të vonuara, por të drejta. Por, për mendimin tim, nuk besoj se lista që paraqiti Lulzim Basha është bërë pa miratimin e Sali Berishës”.
Selami, i cili nënvizoi gjithashtu se “Partia Demokratike sot është më pak demokratike sesa në fillimet e saj”, theksoi se “është krenar” që është pjesë e kësaj partie./gazetaexpress/
FACT CHECK: ShkodraWeb synon t'ju informojë në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Nëse ju konstatoni se ka ndonjë pasaktësi të mundshme, jeni të lutur të na e raportoni këtu