Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka deklaruar se të infektuarit aktivë me Covid-19 në Shqipëri, nuk janë në të vërtetë 2735 siç është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Pipero tha se numri i të infetkuarve është dy apo trefish më i lartë, por raportohen aq, sepse ata që merren me hetimin epidemiologjik nuk identifikojnë dot të gjithë kontaktet.
“Së paku duhet të ketë dhe 2-3 herë më shumë dhe për shkak të mungesës së kontakteve të cilët nuk i identifikojmë dot. Këto raste potencialisht mund ti konsiderojmë si kandidat për spital. Mjekët e familjes në koordinim me epidemiologët bëjnë të pamundurën për të menaxhuar situatën,”- tha Pipero.
I pyetur për mënyrën se si mjekohen në shtëpi të infektuarit, Pipero sqaroi se mjekëve të familjes u është bërë trajnim në Urgjencën Kombëtare dhe në bazë të fazës së sëmundjes u është dhënë lista e mjekimeve.
“Nxitimi për të dhënë antibiotik pa pasur klinik është i gabuar. Dua të them që mjeku i familjes është trajnuar jo vetëm nga Urgjenca Kombëtare, por edhe nga ne. Janë bërë disa trajnime dhe di të them se i kemi trajnuar dhe ky është një nga avantazhet që ka mjeku i familjes në përballjen me COVID-19. Nuk duhet të nxitohemi, skema për tu përdorur ndryshon sipas fazave të sëmundjes. Ata që kanë nevojë për trajtim u kemi dhënë skema të duhura. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje komunikohet me 127,″– shtoi mjeku për Abc News.
Në fund, Pipero tha se si ai ashtu edhe mjekët e tjerë janë shumë të lodhur dhe se dita e tyre e punës është shumë e ngarkuar.