“Sali Berisha mund të arrestohet”, ish- ministri i jashtëm i Shqipërisë: SHBA, kthesë 180 gradë me ish-kryeministrin…!

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, nuk e ka përjashtuar mundësinë e arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa ka komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike dhe betejën mes Sali Berishës e Lulzim Bashës për drejtimin e saj.

I pyetur në emisionin “Log” nëse do të arrestohet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri Milo ka bërë një paralelizëm, duke thënë se në fillimet e tij Berisha kishte me vete ndërkombëtarët, ndërsa sot ndodh krejt e kundërta.


Duke përmendur dhe vizitën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, Gabriel Escobar në Tiranë, Milo është shprehur se edhe mund të ndodhë arrestimi i Berishës.

“Në 1998 organet e drejtësisë së asaj kohe synonin ose kishin ndërmend të bënin një akt të tillë mbështetur në ngjarjet e shtatorit për atë që u quajt grusht shteti. Atëherë kishte presion të madh që të mos vihej dorë mbi Berishën, sot ndodh e kundërta.

Nuk ekziston sot një presion ndërkombëtar, që Berisha, nëse është fajtor, të mos arrestohet. Kemi një diferencë 180 gradë kthesë në qëndrim ndërkombëtar ndaj Berishës. Duke pasur parasysh atë fabulën që është tjerrur meqë erdhi Escobar mund të ndodhë një gjë e tillë me Berishën”, ka deklaruar ish-ministri.