
Pak orë pasi opozita dështoi në rrëzimin me protesta të ministrit të Brendshëm, një ish- ministër i Brendhsëm rifiton lirinë e pamatë. Saimir Tahiri rrëzoi në gjykatë “arrestin e shtëpisë” që një gjykatë shqiptare dha për të para disa ditëve. Si për ironi të fatit, fati deshi që të jetë e njëjta treshe gjyqtarësh tek Krimet e Rënda që i ktheu pasaportën para disa kohëve.
Pas vendimit që mori Parlamenti për mos ta arrestuar, Saimir Tahiri nga dita në ditë po sfidon me forcë sistemin aktual të drejtësisë. Sfida më e madhe ishte heqja dorë nga mandati i deputetit duke mos patur asnjë lloj mbrojtje apo pushteti politik. Madje nga jo ditë, Tahiri jo vetëm është trimëruar, por po fiton të gjitha përballjet me Prokurorinë e Kerimeve të Rënda.
Ateherë, dikush po “tallet” me Saimir Tahirin “e shkretë”! E bënë të dalë si i pandehur para kolegëve në Kuvend. I kontrolluan banesën, edhe pse me shumë vonesë. I gjetën dy patenta detare duke i zbuluar pasionin jo shumë publik. E akuzuan se ka bashkëpunuar me kushërinjtë Habilaj për trafik ndërkombëtar droge. E detyruan të heqë dorë nga imuniteti, më vonë edhe krejt nga mandati i deputetit. E lanë disa ditë arrest shtëpie, për ta rikthyer sërish të lirë për të festuar në ballkonin e shtëpisë me disa miq duke pirë birra.
Përveç se me Tahirin, prokuroria po tallet edhe me shqiptarët. Fatmirësisht që u bënë disa ndryshime nga Arta Marku tek Krimet e Rënda, se prokuroria paska qënë duke lënë “kokrrën e namit”. Ai shefi me mbiemër të gjatë, u zëvendësua nga një shefe me mbiemër të shkurtër dhe që mbahet mend lehtë. Nga ai moment, të gjithë menduan se Tahiri do ti kishte “ditët e numëruara” jashtë qelisë. Por ja që 3 gjyqtarë tek Krimet e Rënda, që shorti i vë gjithmonë të gjykojnë Tahirin duke e nxjerrë fitues, “rastisën” aty për të shpëtuar drejtësinë nga mëkati i rradhës.
A keni vënë re diçka në gjithë këtë mesele të ministrit aktual dhe ish- ministrit të Brendshëm? Askush nuk i konteston mo gjykatat me vendimet e tyre. Edhe pse vettingu është në “pupa”, vazhdojnë të marrin vendime ata gjyqtarë, me të njëjtin sistem që sidomos kryeministri Rama jo vetëm i anatemonte, por do të dëshironte ti fshinte si me gomë. Edhe opozita nuk i sulmon, por mjaftohet me “kryeministri mban peng drejtësinë përmes vettingut”. Të jetë lojë e pëbashkët për t’iu hedhur hi syve ndërkombëtarëve, të paktën Lu-së e Vlahutin-it që janë në muajt e fundit të qëndrimit në Shqipëri? A mund të lexohet kështu edhe deklarimi i qartë i ambasadorit amerikan që paralajmëronte vendimin e sotëm të gjykatës për Tahirin?
Unë mendoj se duhet ti kërkohet ndjesë Tahirit për të gjitha telashet që drejtësia jonë i ka nxjerrë. Aq më shumë që me dorëheqjen nga mandati i deputetit, do ti jenë krijuar probleme të thella ekonomike si i papunë. Vetëm nëse e ndihmon familja që duket se ka të ardhura nga një depo farmaceutike.
Popullit, nuk duhet ti kërkojë ndjesë askush. Vetë e ka fajin që gjithmonë e ha sapunin për djathë. Nuk zuri mend as në kohë të Turqisë, as të Zogut, as të Enverit dhe as në kohën e Berishë- Nano- Ramës. Se qeveria e kap lepurin me qerre, gjithmonë kur ka lepur! /Nga Blerti DELIJA/