
Saga e hakmarrjes mes dy fiseve Bardhi e Reçi në Rrëshen të Mirditës duket se po merr ende jete edhe pas ‘luftës’ prej afro 29 vitesh. I riu Kristian Marku, alias Kristi Bardhi, u ekzekutua mbrëmjen e 14 janarit teksa udhëtonte me makinë në drejtim te Vlorës. Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hakmarrja mes këtyre dy fiseve, ndërsa policia ka bastisur banesën e familjarëve të Kastriot Reçit në Rrëshen.
4 anëtarë të fisit Reçi, mes tyre Saimir e Martin Reçi, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në polici, por ata kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit. Saimir Reçi u shpëtoi plumbave që Kristian Marku lëshoi drejt tij në një atentat në 2023.
Dinamika e atentatit
I riu u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë pasditen e 14 janarit 2025, ndërsa autorët që dyshohet se kanë qenë 3, të cilët sipas burimeve, i kanë zënë pritë në mbikalimin e Novoselës. Burimet bëjnë me dije se nga kjo pikë, autorët e kanë ndjekur me makinë dhe më pas e qëlluan më shumë se 13 herë me armë pistoletë ose automatik të vogël tip Shars. I riu mori 3 plumba në trup dhe makina që udhëtonte, pas atentatit është përplasur disa herë me trafikndarësin, deri sa ka ndaluar.
Autorët dogjën mjetin tip ‘Golf’ rreth 1 km larg vendit të ngjarjes dhe më pas dyshohet se janë larguar drejt Fierit. Mjeti i autorëve ka qenë me targa të vjedhura, ndërsa brenda tij nuk është gjetur arma e krimit.
Policia ka marrë kamerat e sigurisë të një karburanti aty pranë, si dhe përgjatë autostradës Fier-Vlorë. Po ashtu, është ushtruar kontroll në çdo makinë që hynte në Vlorë, por edhe në fshatrat Novoselë dhe Panaja.
Marku tentoi të ekzekutojë nipin e Kastriot Reçit
E kaluara kriminale e të riut Marku dhe hasmëria në vendlindje e ka çuar grupin hetimor drejt pistës së vrasjes për hakmarrje. I riu është nipi i Martin Bardhit, i vrarë më 26 shtator 2023, edhe ky dyshohet viktimë e sagës së hakmarrjes mes dy fiseve. Po në vitin 2023, Kristian Marku është skeduar nga policia si i dyshuar për një tentativë për të ekzekutuar nipin e Kastriot Reçit, Saimir Reçin në 26 marsin e dy viteve më parë.
Asokohe ndaj tij u ngritën dy vepra penale, “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”. Por, policia nuk arriti të provonte përfshirja e tij në këtë ngjarje dhe arriti të fitojë lirinë. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit i vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020.
6 muaj më pas, Kristian Markut i vrasin xhaxhanë në një atentat në Rrëshen. Ai u ekzekutua më 26 shtator 2023, sapo doli nga burgu, në lokalin e tij. Në tavolinë me të, u plagosën Indrit Bardhi, Ilir Bardhoku dhe Olti Gjini.