“Rueju pak se të ruaj shumë…”, aktori shkodran tregon pushimet në vendlindje dhe “trimëritë” ndaj Covid-19

U ba nji muej që jam “idhnue” me F.B-ukun, por jo me ato/ata që mik më thërrasin, si edhe me ato/ata që ka i’herë më “gërgasin”! Më mori malli për të tanë!

…Udhëtuem me tre aeroplana për në Shqipni (në Shkoder) me nji pjesë të familjes sime. Udhëtuem rreth 18 orë me maska në hundë e në gojë! Edhe pse u ngjitëm nalt në qiell, na dukej sikur po udhëtojshim në errësinën e Ferrit! 18 orë të “ngujuem”!


…Kur zbritëm në Aeroportin e Rinasit, na u duk se gjetëm Parajsën! Të gjithë njerëzit atje ishin pa maska! Kishin të drejtë! Si mund ta puthish atë tjetrin me maskë në fytyrë?! Për “njerzillëk”, e paksa prej “marres”, edhe na i hoqëm maskat.

…Nji muej qëndruem në Shkodër pa maska. E u rrokëm…e u puthëm “pllaq e plluq”, pa “teklif” e pa pasë frikë prej atij armikut që quhet Covid!

…Shkuem nja 10 ditë në Velipojën e bukur të cilën e ka bekue Zoti. Mbas 3- 4 ditësh u semurëm të tanë me rradhë, tuj fillue prej ma të voglit deri tek ma i madhi! Menduem se e “hangrëm” Covidin edhe pse ishim dy herë të vaksinuem. Mjekët na thanë se jeni infektue me nji lloj virusi i cili kishte shkue edhe ai për “pushime” në breg të detit. Ai virusi kishte dy emna: njeni i gjinisë femnore, DIARE-JA dhe tjetri : i VJELLTI!

… Mbasi u “pastruem” për nja 3 ditë, mbasi u ndryem mbrendë e mbasi vuem në “qafë” ka nji flamurë të bardhë me kryqin e kuq në të cilin ishte shkrue “këtu ka pastërti”, dolëm të shëtisnim nëpër Shkodër. Me të marre malli me e pa nji njeri me maskë nëpër lokale e dyqane. Deri kamerierat pa maska! Në fakt kamerieri nuk ka fort kontakt me njerezit…pra, nuk i duhet maska!

…Mbasi u shmallëm me të afërmit e miqt’ tonë tuj u kënaqë me barceleta, raki, birre e kafe ekspres (të cilën e dishrojmë në Amerikë), na erdhi koha me u kthye! Do të udhetonim prap me 3 aeroplana e me maska në fytyrë. Torturë e vërtetë…por nuk u shqetësuem aq fort për atë…! Halli ma i madh i cili na krijoi stres ishte se si po na dalin TESTET për Covidin në Aeroportin e Rinasit! Po sikur vetëm njeni prej nesh të dilte pozitiv? Si mund t’ia kthejshim shpinën?!

…Deshti Zoti dhe e kaluem “klasën”! Këtu ku jetojmë na, nuk shef nji njeri të vetëm pa maskë kudo që hyn. Ne rrugë nuk i mbajnë.

…Miq të dashtun…mos e bani atë gabim që bame ne. Zoti na ka porositë: “RUEJU pak se të ruej SHUMË”. /Publikuar në Facebook nga Ymer BALA, aktor/