“RTSH si mundësi përfititimi për emërime klienteliste, të porositura politikisht”, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mbështet kolegët…

Ka disa muaj që RTSH ka mbetur pa Drejtorin e Përgjithshëm dhe funksionet administrative i kryen zëvendësdrejtori i këtij institucioni, Martin Leka. Mbarimi i mandatit të zotit Thoma Gëllçi, si drejtor i Përgjithshëm i RTSH, në kushtet normale, do të duhej të bashkëshoqërohej me procedurat paraprake të zgjedhjes së Drejtorit të ri pasardhës.

Arsyet pse kjo procedurë nuk është kryer në kohë mbeten vetëm dijeni e Këshillit Drejtues të RTSH, por periudha e tranzicionit, që vijon në drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të medias publike në vend, është kohë e një keqpërdorimi, deformimi dhe përdorimesh.

Ditën e sotme, më 23 shtator 2021, Këshilli Drejtues ka njoftuar mbledhjen e radhës. Ndërkohë që sipas pohimeve të gazetarëve të këtij enti mediatik, zv/drejtori i Përgjithshëm Martin Leka merr guximin t’i propozojë Këshillit Drejtues të RTSH-së: “Ndryshime në strukturën organizative, ndryshime në librin e pagave, etj.

Ditët e fundit pranë UGSH ka pasur disa ankesa dhe denoncime shkeljesh, abuzimesh, dhe përdorimesh të politikave administruese dhe menaxhuese të RTSH-së, një pjesë e të cilave janë publikuar edhe në disa media të vendit.

Propozimet nga drejtuesi në tranzicion i institucionit për ndryshim të strukturës organizative të RTSH-së përbën një nonsens dhe karshillëk ndaj një së drejte morale dhe administruese që duhet të ketë Drejtori i Përgjithshëm i mandatuar sipas ligjit.

Publikimi bashkë me deklaratën tonë i propozimeve të zëvendës-drejtorit Martin Leka për ndryshim strukture dhe librin e pagave janë thjesht një përdorim i pastër, mundësi e qartë për selektime dhe politika favorizuese ndaj individësh dhe kategorish, sipas preferencës individuale apo klienteliste.

ShkodraWeb Channel

UGSH i drejtohet Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe posaçërisht kryetarit, zotit Leka Bungo, ta ndalë procedurën e miratimit të vendimeve që ndryshojnë strukturën aktuale organizative të institucionit, të mos i shkaktojë kosto dhe fatura institucionit me lëvizje, shkurtime dhe emërime të cilat do të duhet të përballen me platformën e re të detyrueshme që duhet të sjellë Drejtori i ri i Përgjithshëm.

UGSH shpreh shqetësimin se vonesa e kësaj zgjedhjeje të re është e lidhur më qëllime, preferenca dhe arsye të pastra politike. Për këtë arsye, organizata jonë i tërheq vëmendjen edhe OSBE-së si organizata ndërkombëtare që është e angazhuar prej vitesh me monitorimin dhe garantimin e standarteve të medias publike në Shqipëri, të reagojë pa humbur kohë dhe të monitorojë gjithë marrëdhëniet e brendshme në institucionin e medias publike për të cilin derdhen përvit miliona euro nga taksapaguesi shqiptar.

Në ditët e ardhme, UGSH do të denoncojë shumë fakte dhe dokumenta abuzive që kanë lidhje me administratorët dhe menaxhuesit e RTSH-së.

Ne vërejmë se ky institucion në periudhat tranzite të zgjedhjes së titullarit të saj shndërrohet në mundësi përfituese për emërime klienteliste, të porositura politikisht dhe me shërbimet e ndryshme brenda tij ka shkelje dhe përfitime që shkaktojnë kosto dhe lenë hapësira për korrupsion. /Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë/

ShkodraWeb Channel

Open

Close