Emërtimet e shumë rrugëve anëkend Shqipërisë, në mjaft raste janë të përçudnuara. Emra që nuk kanë lidhje as me figura të njohura, ngjarje të rëndësishme, madje edhe emra të huajsh, shpesh herë vendosen si emërtime rrugësh. Më i fundit, vjen nga Bashkia Vau Dejës dhe e përcjell Dom Nikë Ukgjini përmes një publikimi në Facebook.
Kleriku i njohur në Shkodër, Veri por edhe përtej, ka mësuar se rruga për tek kisha e Kuklit, apo Qendra e poetit Mjeda, në fshatin Kukël të Bushatit, quhet me një emër të çuditshëm si “rruga e Puliganit”. Këtë informacion ai e ka marrë përmes një shkrese zyrtare, saktësim adrese, për të aplikuar për kartë identiteti (letërnjoftim). Në publikimin e tij Dom Nikë Ukgjini shkruan:
“SA TË RRNOSH AQ DO MËSOSH” thotë fjala e vjetër! Sot me rastin e aplikimit të kartes së identitetit në Bushat, mësova se rruga për te Kisha e Kuklit apo Qendra e poetit Mjeda, në Kukël, Bushat, quhej, rruga Puliganit! Fshatarët shprehen se, për së pari herë e kanë dëgjuar këtë emërtim. A thua më në fund duhet marrë shembull Kosovën, kur fshati im ndër shumë emërtime të rrugëve, ka këtë tabelë!
Vertetë që ndoshta është momenti që Këshilli Bashkiak Vau- Dejës të marrë në dorë një hartë të territorit, të përzgjedhë figura e ngjarje lokale, më pas ato rajonale e kombëtare për të ndryshuar emërtimet, si ky “rruga e Puliganit”. Kjo vlen jo vetëm për Vau- Dejësin por edhe bashki të tjera të Qarkut Shkodër e për mbarë vendin tonë. /ShkodraWeb/