Rritet rezerva energjitike në vend, arrin në 272 metër niveli i hidrocentralit të Fierzës…

Të dhënat e fundit të përditësuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tregonin këtë të hënë përmirësim të kaskadës së Drinit me një rezervë energjetike që tani ka arritur në nivelin 543GWh.

Rritja e kësaj rezerve në raport me vetëm pak javë më parë është e dukshme duke dhënë kështu një lehtësim të pjesshëm për kompanitë e energjisë në vend lidhur me furnizimin me energji.


Konkretisht Hec-i i Fierzës kishte një nivel 272 metra, Komani 172.92 metra dhe Vau i Dejës 73.87 metra. Prodhimi ditor në HEC-e vijon të mbetet i kufizuar duke plotësuar më pak se ¼ e sasisë totale të konsumit në vend ndërkohë që pjesa më e madhe e tij po sigurohet nga importi me kontrata që janë nënshkruar përgjatë shkurtit dhe kanë afat deri në korrik për një sasi të limituar ditore energjie.

Prodhimi në kaskadë po bëhet në HEC-e me përjashtim të Fierzës për të cilën qeveria ka deklaruar se do të fokusohet në mbledhjen e rezervës energjetike.

Prurjet këtë të hënë ishin modeste në kaskadë dhe më të larta në Fierzë me 450m3/s në Koman me 140 m3/s dhe Vaun e Dejës me vetëm 15 m3/s.

Kaskada e Drinit menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988. Rregullorja parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës gjatë dy kohëve. Për Fierzën, për shembull, niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor në rregullore është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.

Ndërkohë çmimet e energjisë në Bursën Hungareze i janë kthyer këtë të hënë rritjes me një 1MW të shitur në 227 euro teksa në fundjavë edhe si tendencë e zakonshme, pësuan ulje. Çmimi në fundjavë ishte 90 euro MW një çmim gjithsesi ndjeshëm i ulët nga tendenca e zakonshme që shohim prej muajsh ku çmimi zakonisht nuk bie nën 100-150 euro/MWh edhe në fundjava.

Java e kaluar në bursën hungareze ishte e gjitha me rënie të vazhdueshme të çmimeve nga dita në ditë duke reflektuar në një farë mënyre një nivel të përkohshëm të përmirësimit të sasisë së energjisë së disponueshme për shitje në treg. /Monitor/