“Rriten mundësitë për t’u përfaqësuar në Europë!”, FSHF njofton klubet shqiptare…

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar klubet dhe opinionin sportiv shqiptar pak çaste më parë në lidhje me qarkohen më të fundit të UEFA-s, e cila informon lidhur me ndryshimet e formatit të kompeticioneve të Ligës së Kampionëve, Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës për ciklin 2021-2024. Kështu, sipas qarkores 5/2000, ky format u jep klubeve shqiptare më shumë mundësi për të luajtur në fazën e grupeve të kompeticioneve evropiane. Kjo do të ndikojë në motivimin e klubeve tona dhe angazhimin e tyre në arenën evropiane. Gjithashtu, kjo mund të ndihmojë klubet edhe nga ana financiare. Përmes këtij formati, të paktën 34 federata do jenë të përfaqësuara në fazën e grupeve, në një prej kompeticioneve.


Formati do të jetë me këtë strukturë:

· Liga e Kampionëve – 32 ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe -125 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;

· Liga e Europës – 32 Ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;

· Liga e Konferencës Europiane, – 32 Ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;

Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e 38-të të UEFA-s, ku nga përcaktimi i formatit të ri, në rast se vendi ynë do të vijojë të mbajë këtë vend në renditje, do të mund të përfaqësohemi me 4 ekipe, ku:

1. Ekipi kampion i Shqipërisë hyn në Raundin e Parë të Ligës së Kampionëve;

2. Fituesi i Kupës së Shqipërisë hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë; (në rast se fituesi i Kupës së Shqipërisë është i njëjtë me vendin e parë, të dytë ose të tretë, vendi kalon tek vendi i katërt në kampionat);

3. Vendi i dytë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë;

4. Vendi i tretë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë.

Sipas skemës së formatit të propozuar:

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Parë të Ligës së Kampionëve, atëherë kalon në Raundin e Dytë të Ligës së Konferencës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Dytë të Ligës së Kampionëve, atëherë kalon në Raundin e Tretë të Ligës së Europës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Tretë dhe Playoff-et e Ligës së Kampionëve, respektivisht luan playoff ose kalon direkt në Fazen e Grupeve të Ligës së Europës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Tretë të Ligës së Europës, atëherë kalon ne Raundin Play-Off të Ligës së Konferencës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin Play-Off të Europa Ligës, atëherë kalon në Fazën e Grupeve të Ligës së Konferencës.

Kalendari, pavarësisht se planifikohet të mbahet ai i njëjti i Kompeticioneve të Klubeve UEFA, do të saktësohet në periudhën në vijim.

· Oraret e ndeshjeve do të jenë 18:55 dhe 21:00, e Martë, e Mërkurë dhe e Enjte;

· Marta e Mërkura do rezervohet për Ligën e Kampionëve;

· Liga e Europës dhe ajo e Konferencës do i ndajnë ndeshjet në mënyrë të barabartë në dy oraret e të Enjtes;

· Për ndeshje që do luhen në zona mbi dy orë nga ora europiane do rezervohet orari 16:30.

· Nivelet e shpërndarjes financiare dhe pagesat e solidaritetit për klubet pjesëmarrëse do të komunikohen nga ana e UEFA-s në vijim, gjatë këtij viti.

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!