RRËFIMI – “Shkuam për djalin e sëmurë në Suedi, na dëbuan”, nëna nga Shkodra: Duhet të vazhdojë mjekimet na ndihmoni…

Familja Bajraktari nga Shkodra ka rrëfyer sot publikisht në media, një histori Në kufijtë e të pabesueshmes. Evrianthi Bajraktari, 55 vjeçe, ka treguar atë që ka kaluar në Shqipëri por edhe në Suedi, për ti dhënë mundësinë të jetojë krijesës së saj, Edionit.


Në studion e “Me zemër të hapur”, gruaja ka treguar detaje të prekëse, duke nisur nga viti 2012, kur familja Bajraktari nga Shkodra u nis drejt Suedisë për të kërkuar azil. Nuk ishin arsyet ekonomike, ato që përgjithësisht detyrojnë shqiptarët të marrin rrugët e emigracionit. Familja Bajraktari nisi misionin për ti dhënë një mundesi jete Edionit, sot 15 vjeçar.

“Djalin e kam lindur në moshën 41-vjeçare dhe u gëzova që do bëja një fëmijë të katërt, linda normal. Shkoi deri në 8 muaj dhe më pas pati probleme me kokën. Doktoresha e lagjes më tha që ky fëmijë reagon, por shkon deri në 1 vjeç. Në muajin e 8-të Edioni nuk reagonte më, as këmbët e as duart nuk i lëvizte. Një neurokirurg ndërhyri dhe ai filloi të reagonte. Më pas ngela rrugëve,  vija shpesh në Tiranë.

Na thanë që ai fëmijë do jetonte maksimumi deri në 7-8 vjeç. Unë vetë bëra disa ndërhyrje në atë kohë, ndihesha shumë e lodhur. Kemi shkuar të prisnim biletat për të ikur jashtë, iu thashë fëmijëve do ikim të shërojmë Edionin. Vajza e la shkollën e mesme përgjysmë, djalin e hoqa nga shkolla e muzikës. Brenda 24 orëve vendosëm dhe shkuam në 2012 në Suedi.

Shkuam me avionë deri në Podgoricë. Edioni ishte në gjendje të rëndë. Ju lutëm policit që të kalonim dhe na lejoi. Biletat i kishim marrë shumë lirë, por para me vete nuk kishim fare. Edioni kërkonte ndihmë na shikonte në sy. Na çuan në azil direkt na dhanë një dhomë, kishte shumë rregull. Pasi panë Edionin na çuan në një vend tjetër që të kishim spitalin afër dhe të merrte gjithë shërbimet.

Mjekja që e vizitoi më tha që djali ka ardhur në Suedi dhe nuk ka për të vd.ekur. Pastaj vazhdoi kontrollet e tjera me mjekë të tjerë. Si ka mbijetuar ky fëmijë me këtë gjendje kaq të bllokuar ka thënë mjeku tjetër. Më pas e operoi në kokë dhe ma ngjallën djalin u përmirësua, më njihte mua, hante, merrte bukën vetë, shkonte në shkollë atje, e merrnin me makinë, gëzohej shumë që shkonte në shkollë”, tregoi nëna e djalit.

Më pas ajo rrëfeu dhe incidentin që ndodhi gjatë trajtimit të tij.

“Filluam procedurat për azil dhe djali duhej të trajtonte këmbët. Sapo doktori i mori këmbën dëgjuam një kërcitje dhe e futën këmbën në allci. Mjeku tha që kishte 30 vite në profesion por kjo ishte hera e parë që ndodhte dhe ai do ta riparonte vetë një gjë të tillë. Pas një muaji në allçi na thirrën prapë. Në maj të 2013 u bë operacioni dhe pati përmirësim. Por gabimi që mjeku bëri nuk u mor përsipër. Një ditë kur erdhi nga shkolla pamë që kishte dëmtuar këmbën dhe kishte shumë dhimbje”, tha nëna e Edionit.

Pas kësaj për familjen e tyre rifilluan vuajtjet.

“Në 2016 na kanë ardhur pa na lajmëruar, 2 polica më nxorën jashtë, thanë që mjekët po kontrollojnë djalin, por unë e dija që ata nuk ishin mjekë, ishin polic. Vajzën e çuan nga krevati me forcë. Askush nuk na kishte lajmëruar as, avokati që shteti suedez do na deportonte. Kërkoja me forcë të hyja të shikoja djalin, Edioni nuk reagonte, qante pa zë, me lot.

Në 2016 u kthyem në Shkodër dhe djali ishte shumë rëndë. Kur e pashë djalin për 3 javë që nuk reagonte, rrinte si i habitur. U rikthyem sërish në Suedi e mësuam se nuk kishim ekspuls dhe kaluam, shkuam sërish atje në të njëjtin vend dhe na priste avokati. Shkuam direkt në spital, por azili nuk u hap për ne. Edioni vazhdoi jetën e tij si normalisht dhe u përmirësua gjendja e tij.

Mjekët e mundësuan operacionin e vështirë, na premtuan, ndërsa zyra e migracionit tha se ishim kundër rregullave të azilit. Na dhanë ekspuls më pas dhe na kthyen mbrapsht sërish. Edioni duhet te vazhdojë mjekimet e të marrë ilaçet”, rrëfeu nëna, duke bërë apel për ndihmë që djalit t’i mundësohet kurimi në Suedi.