Ismail Morina gjendet në Kroaci, duke vazhduar betejën ligjore kundër ekstradimit në Serbi. Në një intervistë bashkëshortja e tij Federika tregon kalvarin e muajve të fundit, e vetme, me dy fëmijë dhe në muajin e gjashtë të shtatzënisë, duke u endur Kroacisë. “Gjithçka lidhet me mungesën e pasaportës shqiptare për Ismailin. Atij i është konfiskuar pasaporta nga policia në Shqipëri prej më shumë se një viti e gjysmë. Është realisht një situatë absurde, sepse Ismaili ka thuajse dy vite pa pasaportë dhe kjo tregon se sistemi ka një anomali të madhe, sepse pasaporta nuk përbën ndonjë provë krimi dhe as e ka ndaluar Ismailin të lëvizë për në Itali. Kur u nis në Shqipëri, ai kaloi pa probleme, duke pasur edhe një dokument nga konsullata shqiptare, por në kthim autoritetet kroate në kufi bënë verifikime të tej zgjatura për shkak të mungesës së pasaportës dhe më pas u doli në sistem edhe një urdhër arresti lëshuar nga shteti serb”, thotë bashkëshortja për “Sport Ekspres”.