
Dhe ka një titull të çuditshëm: “Patat fluturojnë në formë V-je”. Kështu ka mbijetuar Vera Bekteshi, shkrimtare, personazh publik, me një histori jete shumë interesante. Ka botuar një libër para dhjetë vitesh dhe do e ribotojë së shpejti. Është duke konkurruar në çmimin “Kadare”, çmim letrar që e jep Instituti “Pashko”. Ka qenë protagoniste në jetën publike që në vitet ’60-’70. Ka jetuar 16 vjet në internim.
Është kthyer në Tiranë në vitin ’91 dhe ka pasur një jetë të tretë. Është shumë aktive, profesionale. Është aktiviste, eksperte dhe nisur nga 10 vitet e fundit, duke nisur nga libri “Vila me dy porta”, që është një lloj autobiografie, ka botuar edhe dy libra me tregime të shkurtra “Një det i moçëm”, parvjet, që ishte konkurrente në çmimin “Kadare”, por nuk fitoi. Vera ka lindur në mbarim të luftës, fëmijë i pasluftës së Dytë Botërore. I ati, gjenerali Sadik Bekteshi, ishte hero i Luftës së Dytë Botërore…
E ka parë jetën nga disa dimensione; nga lartësitë e pushtetit, elitës, deri te bodrumet e internimit, për shkak të burgosjes së të atit. Është ringritur dhe ka përfunduar doktoraturën më një fuqi të madhe. Ajo është simbol i kurajës dhe kuraja është një nga tiparet kryesore të lidershipit, sepse gjatë proceseve të jetës rrëzohemi shpesh, por me rëndësi është të ngrihemi përsëri. Gjatë një bashkëbisedimi me të rinj në Shkollën Pranverore të Lidershipit, UET, Bekteshi tregon për jetën e saj në internim, arsyet që e mbajtën gjallë, që nga shkenca te letërsia, që aso kohe e lexonte, ndërsa sot e shkruan si kujtesë.
Një fizikane që shkruan letërsi, si erdhi ajo te ju?
Kam mbarur Fizikë Speciale dhe kam qenë në grupin e parë të brezit të fizikanëve bërthamorë. Punova 6 vjet dhe më pas u internova. Në moshën 28 vjeç jam internuar dhe jam kthyer në moshën 44-vjeçare. Vazhdova punën në shkencë në Institutin Hidrometeorologjik dhe bëra doktoratën dhe, pa dalë akoma në pension, fillova të shkruaj. Kisha një ngarkesë të madhe për të thënë gjërat që kisha kaluar unë, familja ime dhe familje të tjera. Në librin që do të ribotohet janë më të zgjeruara. Pra, i është shtuar edhe një kat vilës, siç e them edhe në hyrje të librit.
Letërsinë e kam dashur shumë. Pas shkencës, ka qenë letërsia dhe e kam ndier se një ditë do të shkruaj. Isha aq e mbushur! Një shkrimtar i madh thotë se një njeri shkruan për dy arsye: E para është nëse ke një talent të lindur dhe e dyta, nëse ke shumë gjëra për t’i thënë. Unë jam e tipit të dytë, veç faktit që e kisha si detyrë qytetare që të dëshmoja për një periudhë të errët si diktatura. Vendimin e kisha marrë, por e shkrova 20 vite pas internimit. Nuk isha shumë e përgatitur, por edhe sepse i lashë gjërat të ftohen. Po shkrove menjëherë për një ngjarje, kam përshtypjen, se gjërat e para në gjaknxehtësi nuk janë shumë të drejta. Kur dëgjova se dilnin në televizione dhe flisnin, thashë se nuk do të dal, por do shkruaj që të mbetet. E kam shkruar librin për tre vite. Gjatë kohës që isha në punë, edhe gjatë pasditeve.
Të dy librat kanë afërsisht të njëjtën temë: përballja e individit me vështirësitë më të mëdha. Libri i parë është mbi përballjen me diktaturën, i dyti, përmbledhje tregimesh, është vazhdim dhe pjesa më e madhe është përballja me lirinë. “Ora me rërë” flet për atë çka ne bëjmë me lirinë, sepse është e rëndësishme. Shumë njerëz në liri nuk e gjetën veten. Te ky libër përshkruhet sesi personazhi kryesor vret veten. Ishte një profesionist i shkëlqyer gjatë socializmit dhe nuk u adaptua. Kurse libri që do të botoj më vonë flet mbi përballjen me një sëmundje të pashërueshme. Ka dhe sfida të tjera që do vijnë më vonë kur të moshohem, sepse tani nuk e ndiej moshën. Përballja me pleqërinë është një sfidë shumë e madhe, sesi ta përballosh jetën me dinjitet. Kanë shkruar shkrimtarë të mëdhenj për këtë.
Të qëndrosh pro jetës dhe të kalosh nga një fazë në një tjetër, me shumë dinjitet dhe me klas, duke i sjellë diçka jo vetëm fatit tënd, por edhe shoqërisë, është me shumë rëndësi…
Këto m’u kujtuan natën e parë të internimit. Thuhej atëherë një shprehje popullore që, “qeveria e kap lepurin me qerre”. Në fillim të bënin ato mbledhjet që të përjashtonin nga partia, të depersonalizonin. Unë, për fatin tim të mirë, nuk kam qenë kurrë komuniste sepse kisha ato shfaqjet e mija jo të pranueshme nga komunizmi. Në qoftë se do ta lexoni librin, ishte ai sistemi i depersonalizimit që nga ndarja nga bashkëshorti, të cilat ndodhnin vetëm në Shqipëri, sepse në asnjë vend të botës, në sistemin e vendeve socialiste, nuk ka pasur ndarje të tilla. Kur unë flas me të huaj, ata nuk e kuptojnë. Ndahet ai se të kanë dënuar ty babanë?! Ishte ajo mbledhja në punë…
Pastaj na çuan në Berat, akoma jo në internim, derisa u ndërtuan shtëpitë e të internuarve. Pastaj, një ditë të bukur na çuan në mënyrë demonstrative që “po s’iu binde partisë, kjo të gjen”. Ishte nata e parë në internim dhe kisha motrën dhe djalin. Ata i zuri gjumi, se ishte një ditë shumë e lodhshme. Mua nuk më zinte gjumi. E pashë atë vendin që do të shkonim dhe nuk kishte ujë. Mendoni se sa e vështirë është të rrish pa u larë. Thashë me vete se ky do të jetë vendi që do të jetoj përgjithmonë, sepse internimi i tillë ishte. Nëse do të rrija atje, do të kisha vdekur ose të bëhesha një plakë e drobitur dhe s’do të isha kjo që jam.
Thashë: “kjo është jeta që kisha ndërtuar dhe kisha ëndërruar?”. Kisha mbaruar gjimnazin shkëlqyeshëm, kisha mbaruar Fizikë Speciale, kisha fituar olimpiada dhe kisha nisur doktoraturën që atëherë. Kisha shkruar një vepër që mori çmim republike. Atje vendosa dhe thashë: “Unë do i përbuz të gjitha qëndrimet e së kaluarës, sepse po të jetoj me ato qëndrime, nuk do e përballoj dot këtë jetë të re, që më është vënë përpara dhe kaq të vështirë, nën survejim total, me mikrofona, me operativin që krijonte lloj-lloj situatash. Vendosa që këtë situatë të re do e përballoj jo vetëm me forcë, por edhe me një përqendrim aq të lartë sa e kërkonte fusha, nga e cila sapo isha ndarë. Pra dhe në internim nuk ishte vetëm që do merrje kazmën, do punonim arën dhe do paraqiteshim tre herë dhe do haje ato bëzhdilat që të jepnin.
Nuk e merrni me mend se çfarë varfë- rie qe në kohën e tufëzimit në kooperativat e Shqipërisë. Ne na çuan në ato më të varfrat. Thashë: “Unë duhet ta përballoj këtë gjë, njësoj sikur të merresha me punë shkencore, sepse vetëm kështu mund t’ia gjej anën kësaj pune”. Që nga internimi, kam fituar shkollën që ta njoh të keqen menjëherë. Këtë e kam shkollë nga internimi dhe shumë gjëra të tjera. Nuk trembem, sepse kam parë aq shumë qamete.
Cili është kujtimi më i keq i jetës suaj?
Lajmi më i keq ishte kur vdiq gjyshja dhe ne s’e pamë. Ajo pati thënë, se në shtëpinë e sime bije ra bomba atomike. Pra, gjëja më e vështirë për t’u përballuar është goditja e parë. Është tamam si në ring. Nëse shmang grushtin e parë, fillon përgatitesh fizikisht dhe psikologjikisht. Ju nuk dini çfarë ishte Sigurimi, por kur mendoja: Këta plehra të më bëjnë mua vegël të tyre? Kurrë! A ka vdekje?! Një herë jeton njeriu dhe njëherë vdes. Të bëhem unë vegël e tyre, e Sigurimit?!
Një nga arsyet që nuk është shkruar shumë për diktaturën, sipas meje, është se njerëzit diku e kanë ngrënë atë çorbën që thuhej në ato filmat e kohës së socializmit dhe u duket se nuk e kanë të drejtën morale. Ndërsa unë e quaj të gabuar. Ka ndodhur edhe për kandidatë të çmimit Nobel, që kanë thënë: “Kemi qenë disa ditë nazistë, ose na kishin detyruar të ishim të tillë”. Ja, unë isha e fortë edhe nuk më thyen, por për shumë njerëz të tjerë nuk ka qenë kështu. Unë isha e martuar dhe kisha një djalë, burri im ishte diplomat dhe papritur merr vesh që babai yt po dënohet dhe ty do të mohohet jeta. Të të marrin dhe të të çojnë në një humbëtirë, të të japin një kazmë në dorë edhe të të thonë se kështu do të jetosh gjithë jetën.
Të thoshin ata të Sigurimit: “Djali yt kot mëson, se këtu ka për të vdekur”. Sistemi të bënte ta mendoje se do të ishte i përjetshëm. Këtë ta thoshin edhe fshatarët, se kot mundoheni duke punuar kaq shumë, “duhet ta ruash veten dhe të bësh hile në punë”. Një lajm tjetër shumë i hidhur ka qenë me djalin e motrës së babait tim, i cili ishte oficer madhor i teknikës së Ushtrisë, shumë i zoti në fushën e tij. Ai foli diku dhe e burgosën në burgun e Qafë-Barit. Ai u ngrit në revoltë, midis ishte edhe djali i hallës sime, që është rritur në shtëpinë time dhe unë e kisha si vëlla.
Dhe e dini si e kanë vrarë? Ky bashkë me dy të tjerë ishte në krye të revoltës, e kanë marrë, e kanë shtrirë përdhe, u kanë hipur sipër me çizme me thumba dhe njëri nga ata policët e ka kthyer dhe i ka thyer kolonën vertebrale dhe ka vdekur. Këtë e mora vesh para një jave. Më pas, të burgosurit, e morën këtë njeriun, policin dhe e kanë hedhur nga gremina. Të burgosurit pasi ua vranë shokët, gjetën momentin dhe e hodhën në greminë. Ky është lajmi që na tha babai nga burgu dhe tha se, mendohet të ketë vdekur nga zemra, por unë e di shumë mirë se atë e kanë vrarë.
Gjatë internimit, keni menduar se do të kishit një jetë të tretë?
Po. Dhe për të mbajtur mendjen i kam bërë djalit matematikë me problema jashtëzakonisht të vështira, sepse ishte libër i përkthyer nga rusishtja. Ma kishte dërguar Vili Minarolli nga qyteti Stalin, edhe ai i internuar. Kam punuar 16 vjet me atë libër dhe më ka mbajtur mendjen gjallë, sepse do stërvitur çdo gjë si trupi edhe mendja. E bëja këtë, sepse thosha që kur të kthehesha, do të isha “tabula rasa”.
Aristoteli thotë se me 7 vite punë fizike, pushoni së qeni intelektual. Veç matematikës, çfarë tjetër ju mbajti në jetë? A lexonit poezi? A ju binte në dorë Kadareja?
Ishim në një takim me rininë. Një vajzë që kishte studiuar në Gjermani për Financë, filloi të fliste shumë keq për Ismailin. Unë nga vendi e pyes, nëse e kishte lexuar Ismail Kadarenë. Ajo tha jo. Po si mund të flasësh për një autor, pa i lexuar librin?! “Atëherë, më dëgjo- i thashë- se kur isha në internim, ishim të varfër e s’kishim lekë për libra, por kam shitur gjëra të miat me vlerë për të blerë ato libra. Midis këtyre librave ishte një poezi që thoshte se ‘Patat fluturojnë në formë V-je’.
Unë i kam pasur miq Kadarenë dhe Elenën dhe m’u duk sikur ajo poezi ishte bërë për mua. Thuhej në atë poezi se ‘diçka e latë tek ne, diçka e gjetët në re, faleminderit pata për aq sa bëtë për ne’. Këto vargje të Ismailit më kanë mbajtur gjallë. Nuk ka më gjë lënduese sesa kur mendon se të kanë harruar”. Dhe i thashë asaj vajzës se “ky është Ismail Kadare dhe lexoje atë, e mos fol sipas interesit të disave që nuk e duan atë. Të gjithë shkrimtarët kanë kontestime, kanë njerëz që nuk i pëlqejnë. Nuk ka asnjë artist në botë që të pëlqehet nga të gjithë”.
Më kujtohet Agim Baçi që tha se “nëse Kadare nuk është disident, atëherë e gjithë vepra e tij është një disidencë”. Ne lexonim midis të gjitha rreshtave dhe kuptonim gjërat që donim t’i kuptonim dhe i kuptonim. Kur jam kthyer, e kam pyetur Ismailin dhe ai është përgjigjur, siç përgjigjet ai si me ekuivokë…
Ju folët për ditën e parë të internimit, por në ditën e fundit çfarë ndodhi?
Para rënies së murit të Berlinit, filluan lëvizjet dhe unë dëgjoj në radio “RAI2” një lajm interesant, që e kam vënë edhe në libër. Ky lajm më dha shpresën përfundimtarë se gjërat në shkallë botërore do të ndryshojnë. Që atë moment unë e dija se do ktheheshim. Buharini, anëtar i Byrosë Politike të Bashkimit Sovjetik, i përfshirë në grupin e atyre që e kundërshtonin Stalinin, u vra, ndërsa gruaja e tij, Ana Buharina u internua në Siberi. Ai la një testament dhe në lajmin që po dëgjoja në radio thoshte se Ana Buharina është kthyer në Moskë në apartamentin e saj të vogël moskovit dhe radha e qytetarëve për ta takuar atë, ishte e pafund.
Kam bërtitur kur e dëgjova. Thirra mamanë ta dëgjonte. Më vonë u shpjegua lajmi se ai i kishte lënë Anës një testament dhe atë ajo do ia jepte dikujt që, sipas mendimit të saj, do të ndryshonte Rusinë. Ajo mendonte se ishte Gorbaçovi dhe ia dërgoi. Ky e ktheu menjëherë në Moskë nga internimi. Thashë se atje ku lindi komunizmi, atje po shkëputen hallkat dhe nuk është e largët dita që do të vijë edhe këtu. Pastaj filloi rënia e murit të Berlinit, kështu që ai lajm ka qenë për mua dita e fundit.
A ka pasur gjatë jetës suaj ndonjë moment dorëzimi?
Kur u ktheva dhe isha në Institutin Hidrometeorologjik dhe po shkoja në Shkollën e Partisë dhe kemi ndenjur në kushte shumë të këqija. Më të këqija se banesa në internim. Ishte natë dhe po e shikoja se po më ndiqte një makinë dhe një qime më ndante. Në ’91-shin kishte një trafik të çmendur.
Sapo kisha dalë nga një betejë e tmerrshme dhe do më duhej betejë sërish për t’u integruar në shoqëri, në zanatin e shkencës dhe thashë: Po sikur ta lë veten të më shtypë makina?! Ky ka qenë i vetmi tundim dhe e kam përmendur edhe në libër. Derisa i shpëtova atij tundimit të vdekjes, që është më i vështirë se tundimi i dashurisë. I shpëtova atij tundimi dhe zoti na ruajt! Nga ç’kam lexuar nga këto historitë kur njerëzit kanë shpëtuar nga tmerre si Holokausti, shumë kanë vrarë veten. Nuk e kanë përballuar dot lirinë.
Ka statistika për ish-të përndjekurit në Shqipëri?
Nuk e di. Në Amerikë është bërë një studim se brezi i dytë dhe i tretë i të mbijetuarve nga Holokausti, pasardhësit e tyre janë të sëmurë mendorë, sepse është shkruar në gjen ajo trauma e madhe e marrë nga kampet e përqendrimit.
Folët shumë për kujtimet e këqija, cili ka qenë kujtimi juaj më i bukur që do e mbani mend gjithë jetën?
Shkrimi më jep shumë lumturi dhe këto kohë që po pres Çmimin “Kadare” nuk jam duke shkruar dhe më është prishur qetësia dhe më ka ikur gjumi. Unë nuk u bëra dot fizikane e plotë, sepse nuk kishim laboratorë atëherë dhe nuk krijova dot në fizikë. Por shkrova diçka kur isha në punë. Krijimtaria dhe takimi me lexuesit të japin lumturi shumë të madhe.
Ju e thatë, që dhe në momentin kur vajtët, bëtë një pakt më veten dhe kjo është si një jetë e dytë.
Po. “Do i harroj këto dhe do jetoj me të tashmen”. Kjo është edhe baza e Budizmit. Jeto me të tashmen! Kur ikja në punë, është një bimë që quhet “sëmërdelë” që është eterovajore, por i ka gjethet në nuancat e ngjyrave të tokës. I këpusja ato, e sillja në shtëpi si buqetë me lule.
Pra, ju jetoni si një familje normale, në kushte jonormale.
Po, çdo gjë që e bënin fshatarët, e bënim edhe ne. Ne jetonim më mirë se fshati, se kishim edhe kulturën. Kishim vëllezërit që punonin më shumë se fshatarët dhe ne ato gjëra që ishin në fshat, i blinim. Ju nuk e dini se në 1 Maj dhe 31 Dhjetor shitej mishi. Jepeshin dy kile makarona me krimba dhe orizi po ashtu. Dhe vaji i një cilësie të keqe, saqë unë tani nuk pushoj së ngrëni vaj ulliri.
Qershitë në kohën tonë ishin shumë pak, po ashtu edhe agrumet ishin vetëm për Vitin e Ri. Unë isha vajzë gjenerali dhe grua diplomati. Në ’73 isha shtatzënë dhe kam lindur djalin më 21 maj. Nuk kishte fruta absolutisht në treg. Pija çaj kinez, sepse doja të pija diçka. Kunata ime që punonte në hotel “Dajti” më rregulloi që të blija dy kile mollë starkinge, që në atë kohë ishin bërë brumë. Ja, ky ka qenë socializmi. Mendoni, që unë s’kisha mundësi, imagjinoni njerëzit e thjeshtë! Një nga gjynahet e Enverit ka qenë se si e la këtë vend aq të pasur, në një gjendje aq të mjeruar. Me qëllim e ka bërë.
Jetuat dy kohë, çfarë keni marrë të mirë prej të dyjave, çfarë ju mundon sot?
Edhe në internim, ne qeshnim dhe nuk qanim, në përgjithësi. Tronditeshim, por nuk qanim. Kisha dy vëllezër, ishim dy motra, mamaja, gjyshja që vdiq menjëherë në Berat dhe babai që ishte në burg. E mbushnim jetën me libra. Absolutisht, libri është shoku më i mirë. Unë nuk e kam ndier kurrë vetminë. As në internim, as tani. Shikoj pak televizor dhe e mbyll. Jam njeri pa gjumë, përgjithësisht. Ngaqë më pëlqen pjesa që lexoj, më zë gjumi me diçka të bukur. Internimi më kaliti durimin dhe lirinë që na erdhi, unë e pashë me sy shumë skeptik.
U futa prapë në Fizikë të Aplikuar dhe prita çfarë do të ndodhte. Nuk është e rastit që tranzicioni te ne është më i zgjaturi se në vendet e Lindjes dhe më i vështiri. Me analizën që kam bërë, është se edhe diktatura qe më e vështirë. Sa më i madh është presioni, aq më e vështirë është të dalësh nga ai presion. Sikur një gjë e mbushur me ajër; aq më shumë ta presosh, aq më shumë kohë do ajo që të marrë formën e saj. Përveç kësaj, ajo që vë re unë, sepse kam punuar deri para një viti në punë dhe akoma nuk jam shkëputur, ajo që ka lënë diktatura nuk është vetëm presioni i madh apo frika, por është edhe një model drejtimi si në parti, edhe në shoqata. Mungesë transparence, autoritarizëm. Kjo është një nga gjërat më të këqija. Janë modelet që ka lënë enverizmi, në njerëz që nuk e njohin fare, që janë të rinj.
Ju vendosët ta shkruanit historinë tuaj dhe zgjodhët letërsinë…
Unë e quaja detyrë qytetare që të dëshmoja për të keqen dhe të lija një dokument. Mbaj mend, më pati thënë Aleksandër Meksi të bëja një roman për diktaturën. “Jo, i thashë, se do bëj një libër, që po të ndryshoj emrat dhe vendet, do të duket si një roman autobiografik dhe jo kujtime.
Por do i lë emrat dhe vendet, për të dëshmuar se kam kurajën të them që ky ka bërë këtë gjë, por dikush tjetër ka qenë i mirë dhe unë i shkruaj këto. Edhe Sekretari i Partisë që shkon në pyll dhe i thotë vëllait tim “më mbaj pushkën të dredh duhanin, se e dimë ne, se ju nuk jeni armiq të popullit”… Populli e kuptonte, por kishte frikë. Unë doja të lija një dëshmi. Ky ishte qëllimi. Për ta lënë më të fortë këtë dëshmi, bëra një libër të ri.
Vera, do të donim një këshillë për dashurinë!
Edhe unë jam në pritje të një dashurie. Mos kujtoni se mbarojnë këto gjëra. Një nga filmat më të vlerësuar këto kohë është “The Soul of the Night” më duket, me Robert Redford dhe Jane Fonda. Ata janë të dy mbi 80 vjeç dhe gjetën lumturinë në një lloj mënyre. Çdo kohë ka mundësinë për të bërë dashuri, por ajo që ju jap këshillë për dashurinë, është që mos e quani të dhënë njëherë e përgjithmonë, se çdo ditë do ta fitoni, duke e merituar atë.
Kjo është edhe në familje, prindër dhe fëmijë. Të mos ju shkojë nëpër mend se e keni të sigurt dashurinë. Përqendrohuni si në fushën e shkencës. Të krijosh një gëzim dhe mbi të gjitha merreni me gëzim dhe jo trishtim. Punë e madhe se mbaroi ajo dashuri! Ka të tjera. Merreni seriozisht, por mos u trishtoni shumë, mos u bëni si Verteri i ri i Gëtes, që vrau veten për dashurinë./panorama/