
U luajtën ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Champions League, ku u përcaktuan edhe dy gjysmëfinalistet e para. Ajaksi i çuditi të gjithë në Torino, ku pas barazimit 1-1 në sfidën e parë me Juven, ia doli që të kualifikohej për në raundin tjetër, madje edhe duke fituar, tashmë me shifrat 1-2.
Ndeshja nisi me një presion të lartë të Juventusit, dhe arriti që ta zhbllokojë takimin me një gol nga goditja e këndit, me kokë nga ana e Ronaldos. Por, avantazhi i bardhezinjve zgjati vetëm 6 minuta, pasi ishte Van de Bek, që u harrua në zonë nga mbrojtja e “Zonjës”, dhe përballë i vetëm me Sheznin nuk e kishte të vështirë të barazonte.
Në pjesën e dytë, Alegri kërkoi që të fitonte takimin, por ishte kapiteni i Ajaksit, De Ligt, që me kokë vuri heshtjen në Torino, dhe shënoi të dytin për holandezët. Deri në fund, Ajaksi ia doli të mbajë fitoren, dhe u kualifikua për në gjysmëfinale.
Ndërkohë, takimi tjetër mes Barcelonës dhe Mançester Junajtid nuk pati shumë histori. Katalanasit fituan pastër me shifrat 3-0. Mesi u rikthye të shënonte në fazën çerekfinale, teksa realizoi një dopietë në minutat 16 dhe 20. I pari ishte një gol nga ato që di të bëjë vetëm ai, nga jashtë zone, ndërsa goli i dytë erdhi si pasojë e një gafe të De Geas.
Ndërkohë, në pjesën e dytë “vulën” e vuri Filip Kutinjo, që me një perlë nga jashtë zone, shtangu sërish De Gean. Përfundimisht, Barcelona kualifikohet për në raundin tjetër, bashkë me Ajaksin.