Ritvani u kap, tani ta ushqejmë dhe ta respektojmë…me paratë tona

Loading...

Ritvani u arrestua. Policia përmbushi detyrën, sipas ligjit. Ne kishim dikur një Repart Eleminimi e Neutralizimi të Elementeve të Armatosur (RENEA), por pastaj ia hoqëm ate “ë”-në e dytë, se nuk jemi vend dosido. Jemi aspirante. Ritvani u kyç.

Ankthi popullor ndaj një trushkuluri në arrati me armë në dore mori fund. Zyrtarët e shtetit po merren tani me atë që shoi tetë frymë. Po i dokumentojne thëniet. Ashtu si ligji e do.

Më tej historia vazhdon pak a shumë kështu:

Ritvani do dalë në gjyq për masë sigurie. Ai nuk i shpëtoi gjykatës. Do mbetet në “arrest në burg”. Në gjyq do mbrohet me një avokat kryesisht. Është detyrim i shtetit t’i paguajë një mbrojtës. Para taksash, se shqiptarët paguajnë. Zbatojnë ligjin. Nuk besoj se familja do të shpenzojë për të.

Procesi gjyqësor mund të mbarojë shpejt, nëse ndonjë nga anëtarët e trupit gjykues nuk këputet nga vettigu gjatë procesit.

Nëse vrasja e 8-fishtë provohet para gjykatës, me apo pa pendesën e tij, gjasat janë të dënohet përjetë.

Pastaj historia bëhet më interesante:

Në zbatim të ligjit, ai do vuajë dënimin në një nga burgjet e vendit, mendoj tek një i sigurisë së lartë. Aty do trajtohet si zotëri, jo për qef a deshirë të ndokujt, por për hir të ligjit.

Do i respektohen të drejtat e njeriut. Do ushqehet, do hajë, do pijë, do kete orarin e ajrimit, takimet me familjarët, do marrë pjesë në aktivitetet artistiko kulturore të burgut.

Mbaje Zot të mos i shkelet ndonjë e drejtë, se telefonin Avokatin e Popullit. Edhe ata aq duan. Jo për gjë, por në zbatim të ligjit edhe ata.

Kështu që, tani të gjithë duhet të paguajme taksat. Ka kosto qendrimi në qeli.

Ritvanit i duhen të paktën 50 euro në ditë.

Para nga të miat. Nga të tuat.

Po mor po, nga ti që po lexon këto radhë… /Nga Armand BAJRAMI/

Loading...