Ristrukturimi i ALUIZNIT/ Hapet konkursi per vendet e reja, reforme edhe ne Shkoder

Bashkimi në një strehë i institucioneve që kanë në ngarkim çështjet e pronësisë është vetëm maja e ajsbergut, pasi reforma e nisur do të prekë edhe trupën e punonjësve. Performanca e ulët dhe kualifikimi jo i duhur janë dy argumentet që do të përligjin valën e shkarkimeve dhe zëvendësimeve.
Kështu, vetëm një muaj pas deklaratës së kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili paralajmëroi ristrukturimin e plotë të institucionit që drejton, ka ardhur hapi i radhës. Jo më larg se dje është njoftuar hapja e garës për pozicionet: përgjegjës sektori dhe specialistë në 16 drejtoritë rajonale të Agjencisë së Legalizimeve, përkatësisht në Tiranë, Durrës, Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kavajë, Korçë, Krujë, Kukës, Lezhë, Lushnjë, Sarandë, Shkodër, Vlorë.
“I gjithë institucioni i ALUIZNI-t do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të plotë ligjor, strukturor dhe territorial, me qëllim që, nga njëra anë të mundësohet përshtatja e vetë strukturës me sfidat e reja të katërvjeçarit, nga ana tjetër të bëhet e mundur të korrigjohen një sërë problematikash që janë vënë re në këto katër vjet, për sa i përket marrëdhënieve dhe shërbimit ndaj qytetarëve”, tha më herët Lame gjatë një deklarate për mediat. Kandidatët kanë afat deri në datën 2 tetor për të bërë dorëzimin e dosjes pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t.
Për të interesuarit janë listuar edhe disa kushte dhe kritere për të marrë pjesë në konkurrim. “Kandidatët duhet të zotërojnë diplomë të arsimit të lartë, të nivelit minimal “Bachelor”, në profilet Inxhinieri ndërtimi, Arkitekturë, Urbanistikë, Gjeoinformatikë, Gjeodezi, Topografi. Për pozicionet “specialistë” kandidatët duhet të kenë të paktën 2 vite përvojë pune në profesion, ndërsa për pozicionet “përgjegjës sektori” 3 vite”, specifikohet në njoftim.
Kandidatët do t’i nënshtrohen testimit me shkrim, i cili do të vlerësohet me 30 pikë. Peshën më të madhe do ta ketë intervista, e cila do të vlerësohet me 40 pikë, ndërsa dosja me 30 pikë.