
Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, një femër kandidon për Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së. Mes 23 kandidatëve për 9 vende në komitet, është edhe Aldona Sylaj, me profesion juriste. Prej shtatë vitesh ajo është pjesë e Komisionit të Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF. Po ndërkohë, Sylaj është zëvendëskomisionere publike e Vetingut, gjithashtu Doktore Shkencash në “Shkencat Europiane”.
“Së pari, nuk do doja të më quanin femra e parë, por Aldona Sylaj që kandidon për Komitetin Ekzekutiv. Kam qenë për 6 vjet pjesë e Komisionit të Zgjidhjeve të Konflikteve në Federatë, ku ka zgjidhur disa çështje. E njoh futbollin, sidomos çështjet që kanë të bëjnë me anën juridike. Më ka propozuar klubi i Tiranës për të qenë Kandidate. Kam besim se do të jem mes 9 anëtarëve të Komitetit të Ekzekutiv”.
Aldona Sylaj është propozuar nga klubi i Tiranës. Arma më e fortë, sipas saj, është ruajtja e balancave, dhe kjo duhet të ndodhë edhe në sport. Por, kur kandidatja pyetet për shoqatat fantazmë dhe që mund të votojnë në Asamble, Sylaj e shmang me diplomaci. Duke parë garën e fortë mes 23 kandidatëve, që për herë të parë ka një numër kaq të madh, Aldona Sylaj do ta ketë të vështirë të thyejë një tjetër tabu, atë të të qenit anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. /shqiptarja.com/