
Partia Demokratike në Shkodër me risi dyfishe në prag të zgjedhjeve të 11 maj 2025. Drejtimi i degës demokrate i besohet një zonje, Eliona Kodra Shkreli, aktualisht këshilltare bashkiake.
Shkreli është përzgjedhur nga Kryesia e PD- së mes 25 emrave të propozuar nga strukturat lokale demokrate për të drejtuar si e komanduar degën e Shkodrës, në pasim të Gjenarin Kapcarit i dorëhequr prej 10 muajsh.
Emërimi i Eliona Shkrelit është një risi, pasi për herë të parë një zonjë vendoset në krye të degës, ndër më të rëndësishmet që PD ka në të gjithë vendin.
Risia e dytë është se Shkreli vjen nga radhët e medias, me një eksperiencë të gjatë si korrespondente e mediave kombëtare dhe punonjëse e mediave lokale. Aktualisht, përveç profesionit të mësueses, Shkreli punon edhe në TV1 Channel në Shkodër.
Nga zgjedhja e saj si këshilltare bashkiake e PD- së me 14 maj 2023, Shkreli ka qenë shumë aktive me daljet publike por edhe publikimet në rrjetet e saj sociale, duke spikatur edhe në opinionin publik.
Koleges gazetare Eliona Kodra Shkreli i urojmë suksese në impenjimin e saj të ri publik si drejtuese e PD Shkodër.