
Politika vazhdon të komentojë grabitjen e ndodhur ditën e djeshme në Rinas, ku sipas burimeve të ndryshme shifra e marrë raportohet deri në 10 milion euro. Ish-presidenti Bujar Nishani, teksa komenton sot situaten e rende ne te cilen ndodhet siguria ne vend, e duke u ndalur ne grabitjen ne Rinas, thekson se “Shkembimi i zjarrit” qe po thuhet se ka ndodhur mes policise dhe bandes, eshte tentative e policise per t’i hedhur tym publikut.
Me nje shenim ne faqen e tij ne Facebook, Nishani nenvizon se “Nëse do të kishte patur një shkëmbim zjarri, ai do të kishte ndodhur përpara se banda të mbërrinte tek avioni.”.
Postimi i Bujar Nishanit
Tentativa për ti hedhur tym publikut me gjoja “shkëmbime zjarri” nga policia me bandën terroriste që grabiti avionin Austrian Airlines, është po aq kriminale sa grabitja e miliona parave prej bandës, që tashmë do të paguhen nga taksat e njerëzve të thjeshtë.
Nëse do të kishte patur një shkëmbim zjarri, ai do të kishte ndodhur përpara se banda të mbërrinte tek avioni. Por në fakt ky nuk është problemi i vërtetë e më madhori.
As ai i mosmarrjes së masave pas disa grabitjesh spektakolare në mes të ditës, e në mes të kryeqytetit. Këto probleme mbeten në hije nga thelbi i revanshit të krimit dhe terrorit.
Çështja themelore është sepse bandat dhe terroristët e këtij lloji siç ishte dhe ai i fundit, nuk kanë frikë nga askush. As nga shteti, as nga ligji, as nga policia, as nga ruajtja e as nga siguria.
Sepse ata askush nuk i ndjek, askush nuk i heton, askush nuk i shqetëson, askush nuk i turbullon. Një qeverisje e ardhur nga krimi pjell vetëm krim, bashkëjeton vetëm me krimin dhe prodhon veç terror.