Një lajm i trishtë për futbollin shqiptar teksa mësohet se është ndarë nga jeta Enver Rada. I njohur ndryshe me nofkën “Çoçi”, 86-vjeçari mbylli sytë përgjithmonë duke trishtuar mbarë opinionin sportiv.
Po kush është Enver Rada? Të gjithë futbolldashësit shqiptarë nuk mund të harrojnë specialitetin e tij nga goditjet e këndit. Ish-lojtar i shquar i skuadrës së Tiranës në vitet 50’ – 60’, ndërsa më vonë trajner i bardhebluve.
Mu në të hyme të rrugicës “Him Kolli”, buzë rrugës së Kavajës rrinte me shtëpi Enver Rada, i cili nga ne banorët e rrugicës thirrej Çoçi. Çoçi elegant, në shtat e në fjalë, ishte zemra e skuadrës së Tironës (më pas thirrur 17 Nëntori), e cila jo rastësisht e kishte selinë e klubit pak metra larg shtëpisë së Çoçit, ngjit me Parkun e xha Tomit te rruga e Kavajës.
Çoçin nuk e shihje thuajse kurrë vetëm aty te dera e vet në krye të rrugës; shpesh e gjeje në shoqninë e Luigj Bytyçit (për ne thirrej Bixh Balerina) – tjetër talent i rrallë i Tironës ekip, dhe në ate të Ver Shehut, çunit të Mëhalles, edhe ky talent i topit dhe hovit bardheblu. Grupit i bashkohej shpesh edhe legjenda e ekipit Nuri Bylyku, i cili vinte pakaahumë. nga Mëhalla e Vjetër. Shkoja shpesh me tim gjysh te ky grup i mrekullueshëm, edhe për faktin se banonim pak metra më tutje te e njëjta rrugicë. Shpirti mikpritës i grupit ishte Çoçi, i cili i jepte pasion e qejf gjithë bisedës. Ende e kam në vesh timbrin e zërit të tij fin dhe lëvizjet elegante të duarve te hajthme.
Jo rrallë gjeja aty në mes të muhabeteve edhe “zjermin e tifozave”, Suat Toptanin, shkurt Tati, mbesa e Fuat Toptanit e cila rronte me Tironën e për Tironën. Prania e Tatit aty më pati dhënë zemër herët e para me ju avit atij grupi burrash që flisnin për një sport burrash.
Çoçi e pati vu re kët stepjen time, dhe mori e i tha gjyshit: Xake, (gjyshi quhej Riza, shkurt Xake për shokët) a e ke fut me nai sport kët gocën tonë, se kshu paska hik e gjatë si shtogu?
Gjyshi iu përgjigj: Çoço, ksaj mesës teme i pëlqe me lujt fotboll (me “o” e kemi pasë shqiptu), me çunat e lagjes. Nji ku e ke, pyte vetë!
Çoçi m’kapi për qafe, dhe me elegancë mtha: Zojush, mos i ul sytë m’tokë! Fotbolli nuk osht punë burrash, osht punë zemrash. Po t’leu m’zemër, hec e ndiqe e pse jo, edhe luje! Luje për qefin tat, t’do Çoçi fort! No tironsit i kena gocat e forta, nji shif Tatin – tha dhe i hodhi dorën në sup Suatit e cila shtoi se po të doja e kur të doja, mund të shkonim bashkë në stadium me “u xe” për Tironën.
Çoç, sot ti paske ikë nga “Him Kolli”, e paske ndrru kët botë me ate t’pasosmen, po unë kam me t’kujtu përherë si njeriun më europian e progresist që ka pas rrugica ime, e cila për hir të së vërtetës ka qenë një Europë e vogël bardheblu në mes të kuqlimit acarues.
Çoç, të qoftë e lehtë lëndina! Shumë dhe e shumë ke me u kujtu! /Nga Ledi SHAMKU SHKRELI/