Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, i ka pasur duart me baltë gjatë kësaj vere, pasi ka marrë pjesë në nismën më të madhe të kombit afrikan për mbjelljen e pemëve.
Studentët, fermerët, profesionistët e qytetit, personalitete të huaja, ambientalistët dhe zyrtarët e qeverisë mbollën miliona fidanë të hënën, në atë që siç tha qeveria ishte përpjekja më e madhe një-ditore në histori për mbjelljen e pemëve.
Ishte pjesë e fushatës së Z. Ahmed për të mbjellë katër miliardë pemë në Etiopi për të luftuar shpyllëzimet dhe ngrohjen globale.
Shumë shkolla dhe zyra qeveritare u mbyllën, pasi studentët dhe shërbyesit civilë u nxitën të marrin pjesë në program, i cili u mbështet nga disa grupe ndërkombëtare të ndihmës.
Qëllimi ishte të vendosnim të paktën 200 milion fidanë në tokë në ditë, dhe deri në fund të ditës, zyrtarët qeveritarë thanë që ishin mbjellë më shumë se 350 milion.
Shifrat nuk mund të verifikohen, por ato tejkalojnë shumë rekordin e mëparshëm, shkruan “New York Times”.
Rekordi i mëparshëm mbahet nga shteti indian i Uttar Pradesh, i cili në vitin 2016 mbolli më shumë se 50 milion pemë në një ditë, sipas Guinness World Records.
Pyjet e planetit vazhdojnë të tkurren me një normë alarmante, por fushatat e ripyllëzimit po zgjerohen në të gjithë botën, të njohura si një mjet i fuqishëm për të luftuar ndryshimin e klimës, humbjen e habitatit dhe erozionin. Pasi humbi pjesën më të madhe të mbulesës pyjore, Kina ka vendosur të jetë lideri botëror në zgjerimin e saj, dhe shumica e vendeve kanë nënshkruar në një mori fushatash ambicioze për mbjelljen e pemëve.
Rrjeti i Ditës së Tokës ka bërë thirrje për mbjelljen e 7.8 miliardë pemëve në ditën e Tokës vitin e ardhshëm – një për çdo person të gjallë.
Në të gjithë botën, rreth 900 milion hektarë tokë – gati 3,5 milion kilometra katrorë, gati sa zona e Shteteve të Bashkuara – nuk përdoren nga njerëzit dhe mund të shfrytëzohen për pyje, sipas një studimi të fundit nga studiuesit e Institutit Federal të Teknologjisë Zvicerane, ETH Cyrih, që tërhoqi interes të madh nga ambientalistët në mbarë botën.
Nëse do të mbilleshin pemë në të gjithë atë tokë, tha studimi, kur të rriteshin, ato mund të ruanin rreth dy të tretat e gjithë karbonit që aktiviteti njerëzor ka pompuar në atmosferë që nga Revolucioni Industrial.
Në fillim të shekullit të 20-të, rreth një e treta e Etiopisë ishte e mbuluar me pyje, sipas vlerësimeve historike, por që kishte rënë në vetëm 4 për qind në vitin 2000, sipas Kombeve të Bashkuara. Popullsia e vendit është rritur në më shumë se 100 milion njerëz, rreth pesë herë më shumë sesa në vitin 1960 – rritje që ka rritur kërkesën për tokë bujqësore dhe lëndë drusore, duke kontribuar në shpyllëzimin.
Nga 1990 deri në 2015, Etiopia humbi 2.6 milion hektarë pyll, sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara.
Etiopia është ndër kombet që marrin pjesë në fushatën dhjetëvjeçare të Kombeve të Bashkuara kundër shpyllëzimit.