Pak ditë më parë Edi Rama i tha një televizioni gjerman se ai ishte artisti më i mirë mes politikanëve shqiptarë. Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, ai e demostroi me shembuj se kjo është e vërtetë. I vuri në resht të gjithë ministrat, – me një skenografi të menduar që më parë-, të pozonin së bashku me shqiponjën mbi gjoks. E bëri Ramush Haradinajn të nënshkruante mbi flamurin kombëtar dhe sikur kjo të mos mjaftonte, me një akt viril alla Tramp, e tërhoqi me forcë krahun prej ish badigardi të homologut të tij, për t’a theksuar se qe, ai dhe vetëm ai, regjizori i kësaj mizanskene.
Të gjitha këto imazhe të ekzagjeruara ku është e vështirë të përcaktohet kufiri i hollë mes nacionalistit dhe patriotit qenë veshja simbolike e asaj që kryeministri shqiptar do të ligjëronte me gojë. Ai hapi për të disatën herë temën e bashkimit kombëtar, por duke hedhur një hap më përpara, kërkoi një përgatitje institucionale të diplomacisë së dy vendve për këtë objektiv dhe vendosi edhe një afat skandence: 2025-ën.
Natyrisht, ashtu sikurse ndodh në raste të ngjashme me të gjithë liderët shqiptarë edhe këtë herë nuk do të mungojnë komentet se Rama po vesh kostumin e nacionalizmit për të hequr vëmendjen nga problemet e brendëshme, apo se po flet për bashkim kombëtar për të shantazhuar ato qarqe perendimore që kanë filluar denoncimin e pushtetit të tij kriminal dhe të korruptuar.
Por, këtë radhë, problemi nuk është vetëm tek këto mëkate që i janë mveshur njëri pas tjetrit Berishës së parë, Fatos Nanos dhe Berishës së dytë.
E reja është se Rama po shton dozat anti europiane. Në optikën e deklaratave të kësaj të hëne është refuzimi i Brukselit që po detyron dy shtetet shqiptare të shkojnë drejt një projekti të përbashkët për 2025.
Sipas fjalëve të tij, fakti se BE, i premtoi kosovarëve lëvizjen e lirë dhe nuk ia dha (megjithëse ata e firmosën demarkacionin), fakti se Brukseli po përkëdhel më shumë sesa duhet Serbinë, fakti tjetër se frika nga ekstremi i djathtë po pengon përparimin e Shqipërisë, i detyron dy vendet të hedhin këtë hap.
Dhe pikërisht këtu kemi një ndryshim thelbësor të njërit prej akseve më të rëndësishëm të politikës sonë të jashtme.
Nëse deri dje, të gjitha forcat serioze politike të vendit i përmbaheshn tezës “bashkim, brenda BE”, sot Rama po përpunon idenë: “bashkim si kundërvënje ndaj BE –së”, pra një lloj sfide ndaj indiferencës, injorimit dhe refuzimit që po tregon Brukseli.
Ndoshta as deri këtu këtu nuk ka ndonjë mëkat të madh. Sado të ketë brohoritur pro Europës, një komb i ndarë si i yni, nuk ka pse të mos ketë një plan B, aq më tepër sot që po flitet gjithnjë e më shumë për krizën e BE dhe të ç’integrimit të mundëshëm të saj.
Por, mëkati i Ramës nuk është ky. Nuk është as vizioni për të përpunuar një të ardhme alternative dhe as ai për të përafruar aksionin e dy qeverive me një qëllim kombëtar të përbashkët.
Loja e tij djallëzore konsiston në paraqitjen e situatës bardhë e zi.
Ai fajëson vetëm Brukselin, burokratët e tij, ankthin e tyre nga ekstremistët ksenofobë dhe komplekset ndaj Serbisë për mospërparimin drejt BE-së të dy pjesëve të ndara të kombit. Në gjysmën e gotës që sheh bosh, ai nuk thotë asnjë fajalë për shtetin jo funsional të Kosovës, për një shoqëri që nuk e ka kapërcyer dot sindromën e komandantëve të luftës, për një qeverisje të zhytur në krim dhe korrupsion, pa aq sa dhe kjo jona.
Përpos problemeve të vetë Europës janë edhe mëkatet tona –ndoshta edhe më të mëdha- që na bëjmë të mos avancojmë drejt saj.
Por, këtë anë të medaljes Edi Rama rrefuzon t’a shikojë. Ai e fsheh atë në mënyrë të ndërgjegjshme, duke bërë që në dyzimin e kahmotshëm mes patriotëve, që luftojnë për vendin e tyre real dhe nacionalistëve që tentojnë të luajnë me emocionet e kombit të tyre virtual, ai të renditet me të dytët.
Pikërisht, nga që nuk përballet dot me tërë realitetin e hidhur, Rama tenton t’a fshehë gjysmën e tij. Ai i paraqet shqiptarët si viktima dhe Europën si të padrejtë. Dhe kur argumentat për këtë i mungojnë, kur e ndjen se ligjërimi i tij për BE-në si fajtor i vetëm, nuk është bindës, atë që lë mangut logjika ai mëton t’a mbushë me simbole.
Prandaj, këtë të hënë, veç fjalëve, ai u rek ta mbushë takimin e Pejës plot foto me shqiponja dhe autografë mbi flamurë, duke besuar se atë që nuk arrin ta bëjë dot një politikan i keq, mund ta plotësojë një regjizor i mirë. /NgaAndi BUSHATI, Lapsi.al/