
Ndërsa ka nisur diskutimi për reformën e re territoriale- administrative, 10 vite pas asaj të vitit 2015, në start palët politike ndajnë mendime të ndryshme për numrin e bashkive apo qarqeve që duhet të miratohen në Kuvend në korrik 2026, si ndryshim i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Mazhoranca, e cila tashmë prej shumë kohësh po punon për projektin e saj, kërkon zvoglimin e numrit aktual- 61, të bashkive në vend. Nga ana e saj, opozita tashmë ka nisur krijimin e një komisioni për këtë qellim, nën koordinimin e Luçiano Boçit, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Synimi, është rritja e numrit të bashkive në vend, teksa reforma e vitit 2015, u krye pa pjesëmarrjen e saj por vetëm me konsensusin PS- LSI, bashkëqeverisës. Në herët, është folur për 92 bashki dhe 6 rajone si propozim jo zyrtar i opozitës.
Një nga variantet që po qarkullon ditët e fundit, është ai i mazhorancës, e cila kërkon 15 bashki të mëdha dhe brenda tyre, një numër minibashkishë, ku Tirana aktuale do të ndahet në dy pjesë, ashtu edhe Elbasani. Ajo që mbetet të diskutohet, është nëse kryetarët e minibashkive do të zgjidhen nga qytetarët apo do të emërohen nga kryetarët e 15 bashkive të mëdha.
Ndërkohë, sa i takon ndarjes së nivelit të parë, alternativa më e mundshme është ajo e reduktimit të qarqeve nga 12 në vetëm 6. Në këtë kuadër, po diskutohen alternativa për zgjedhjen direkte nga qytetarët të kryetarit të Qarkut dhe të anëtarëve të tij dhe jo përmes delegimit të anëtarëve të qarkut nga këshillat bashkiakë në territorin përkatës.
Ndërsa në disa bashkia aktuale, kanë nisur edhe takimet e aktorëve të ndryshëm, në 5 bashkitë e qarkut të Shkodrës, nuk ka akoma një sensibilitet të tillë. Ajo që është pothuajse e sigurtë, është përfshirja në një qark të vetëm e Shkodrës dhe Lezhës, duke u shtrirë i unifikuar në kufijtë aktualë dhe i emërtuar si rajoni apo qarku i Shkodrës.
Sa i takon numrit të bashkive në qarkun e Shkodrës, po diskutohet zvoglimi i numrit të tyre. Është thuajse e sigurtë që Puka dhe Fushë Arrëzi do të jenë një bashki e vetme, ndërsa Vau Dejësi është akoma në diskutim: do ti bashkohet i tëri Bashkisë Shkodër apo do të ketë një ndarje në mes saj dhe bashkisë së re të Pukës që pritet të ndërtohet. Malësia e Madhe, me gjasë do të ruhet si bashki por nuk është e qartë nëse drejtuesit do të zgjidhen apo emërohen, nëse do të vazhdohet me projektin e 15 bashkive në të gjithë vendin.
Sigurisht, këto janë informacione jo zyrtare, kryesisht nga mazhoranca, ndërsa pritet edhe publikimi i variantit nga opozita. Me gjasë, alternativat do të debatohen jo vetëm në komisionin parlamentar por edhe përmes dëgjesave me grupe të interesit, tashmë si një detyrim ligjor pikërisht nga ligji 139/2015, i cili me gjasë do të përmbyset thellësisht. Nuk duhet harruar se llogaritë e dy partive politike kryesore, edhe për ndarjen e re territoriale- administrative, do të kenë në fokus vitin tjetër, kur pikërisht mbi këtë hartë të re të krijuar, do të zhvillohen zgjedhjet vendore 2027. /ShkodraWeb/
VIDEO E DITËS




