
Këshilli Bashkiak i Shkodrës, në cilësinë e Asamblesë së KF Vllaznia sh.a. nuk miratoi pasqyrat financiare të Shoqërisë Aksionare për vitin 2018. Në fakt, nuk është ky lajmi, aq më tepër kur Asambleja e ka ekskluzivitet dhe përgjegjësi statuore miratimin ose jo të këtyre pasqyrave.
Lajmet ishin të shumta në këtë mbledhje por sigurisht, nuk përbën lajm edhe mbarimi i mandatit të Këshillit Mbikqyrës të KF Vllaznia sh.a. që në dhjetorin e kaluar. Si një Shoqëri Aksionare me dy nivele, mungesa e Këshillit Mbikqyrës nuk krijon probleme në përditshmërinë e administrimit ndërsa për politikat “makro” të Klubit, është Asambleja që mund të marrë çdo vendim të nevojshëm. Lajm nuk është as ideja për një “hetim të posaçëm” financiar për vitet 2017, 2018, 2019 të funksionimit të Shoqërisë Aksionare. As edhe “çështja” e Drejtorit Sportiv që prej disa ditësh, është edhe trajner i një Kombëtarje të futbollit. Që në momentin e prezantimit të parë dhe madje edhe në rregulloren e Klubit, ky person është paraparë në rolin e një “scout”, zbuluesi të lojtarëve të mundshëm për tu afruar tek Vllaznia si përforcime. Nuk është lajm as mungesa e përthithjes së telenteve të Akademisë tek ekipi i parë, sidomos pas një përgjigjeje të sinqertë të administratorit Lici që “me shkodranë Vllaznia ra në kategorinë e parë”. E sigurisht, nuk është lajm as edhe diskutimi se kush duhet të emërojë Këshillin Mbikqyrës të SHA- së, kryebashkiakja apo Asambleja, në një “përplasje” ligjore në mes ligjit 139/2015 me ligjin 9901.
Të gjitha këto janë thënë e stërthënë, dëgjuar e lexuar në media audio- vizive, gazeta e portale. Ajo që të paktën na shqetëson ne, është trajtimi i thjeshtë dhe i ftohtë i Vllaznisë si një Shoqëri Aksionare.
Fatmirësisht, pas hapit të gabuar, nga pranvera e këtij viti “de jure” e “de facto” Vllaznia është pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Ky 100- vjetor po kalon në mënyrën më të mirë të mundshme, jo vetëm për futbollin por të gjitha disiplinat sportive. Të gjitha ekipet sportive kuqeblu, tashmë mbajnë mbi supe peshën e rëndë të Urdhrit më të lartë “Nderi i Kombit”.
E nga këtu, besojmë se duhej të niste diskutimi në mbledhjen e Asamblesë së Vllaznisë. Në këto 100 vite ekzistencë, Klubi ka patur nevojë për investime, sponsorizime, mbështetje financiare. Por sot, në kapërcyell të shekullit, askush nuk kujtohet për to. Për mbështetësit financiare, të ardhurat apo borxhet e akumuluara, të paguara ose jo në 100 vjet jetë. Urdhri “Nderi i Kombit” nuk u dha për këtë aspekt, as sepse Vllaznia ka patur një performancë të shkëlqyer financiare gjatë 100 viteve.
Vllaznia si koncept është abstrakt. Thjeshtë një logo, dy ngjyra të bashkuara përjetësisht: kuq dhe blu. Por Vllaznia para të gjithash, është shpirt, është jetë, është krenari e sakrificë për dhjetra breza sportistësh e tifozësh. Si mund të trajtohet thjeshtë e ftohtë si bisnes një gjë kaq e madhe, e shtrenjtë?! Nuk ka rëndësi nëse je ekonomist, jurist, fermer, mësues. Mjafton të jesh shkodran dhe lehtësisht kalon në plan të dytë. Si mundet dikush të flasë me lehtësi të çuditshme për falimentin të Vllaznisë, shpërbërje apo riformatim? Si mund të artikulojë dikush se janë më të rëndësishme 1.5 miliardë lekë borxhe të akumuluara se 100 vite histori krenarie? Provoni dhe pyesni shkodranët. Provoni ata që mbështesin këto ngjyra edhe në ditët më të vështira, edhe në humbje, edhe në Kategorinë e Parë.
Natyrisht, jo vetëm kjo Asamble por edhe paraardhëset, kanë patur dhe kanë detyrimin të kërkojnë llogari deri më një për shpenzimet dhe mirëmenaxhimin e tyre. Sigurisht janë bërë e mund të bëhen hetime të posaçme financiare në të gjitha nivelet. Janë shkarkuar e larguar administratorë e mund të vijnë e largohet të tjerë. Por duhet guxim i madh të flasësh për falimentin të thjeshtë e të ftohtë si SHA të Vllaznisë. Janë paratë e taksapaguesve shkodranë ato që vit për vit hidhen tek Klubi. Është kontributi i tyre që mban në këmbë ngjyrat kuqeblu dhe ata asnjëherë nuk pyeten sa para janë dhënë për Vllazninë por a do të dalë sivjet në Kupat e Europës, a do të synojë Kupën, Kampionatin. Aq më tepër, kur sot Vllaznia është e vetmja që po demonstron “fair play” financiar, duke deklaruar çdo të ardhur e financim, duke paguar taksa e tatime. Të gjitha këto e vënë në pozitë të vështirë, në një garë të pabarabartë, pa folur për futbollin “jashtë fushës së blertë” të luajtur nga arbitra e presidenti, ku Vllaznia nuk është përfshirë pothuajse asnjëherë.
E për ta mbyllur, dy fjalë për privatizimin e Vllaznisë. Me vlerë rreth 500 milion lekë të vjetra, akoma nuk ka interes të vërtetuar të investitorëve për të marrë aksione. Mbase me të drejtë, Asambleja e sotme, siç edhe e kaluara, e konsiderojnë vlerën shumë të ulët për 100 vite histori. Për të rritur vlerën e aksioneve, Klubi duhet të jetë kompetitiv, minimalisht të futet në Kupat e Europës. E për të arritur aty, duhet një buxhet minimal 1 milion euro, siç u deklarua edhe sot. Tani futemi në një rrethi vicioz, që mbase mund të lehtësohet dalja përmes një pyetje.Bashkia e Lushnjes jep rreth 500 milion lekë të vjetra në vit për ekipin në Kategorinë e Parë. Skenderbeu, edhe pse e mbështetur fuqimisht nga privati, merr çdo vit rreth 550 milion lekë nga Bashkia Korçë. Këshilltarët bashkiakë atje janë më të papërgjegjshëm se këshilltarët tanë? Vetëm me Vllazninë nuk mund dhe nuk duhet të luhet politikisht! Në 100 vite kanë kontribuar për sukseset e saj të gjitha rrymat e mundshme politike. Në 200 vjetorin e Vllaznisë, askush nga ne sot nuk do të jetë i pranishëm. Por e sigurte është se ai do të festohet…dhe me suksese të tjera! /Redaksionale nga ShkodraWeb/
P.S. Shkrimi i mësipërm grish hapjen pse jo të një debati të temave që trajtohen më sipër. Çdokush është i mirëpritur të japë opinionin e tij duke e dërguar në rrjetet tona sociale ose në adresën info@shkodraweb.com. Garantojmë botimin e çdo opinioni apo analize të argumentuar dhe brenda etikës së komunikimit, vetëm me një redaktim gjuhësor nëse është e nevojshme.