
Reali i Madridit mori një fitore të madhe, në sfidën e parë çerekfinale në Champions League, në Torino përballë Juventusit. Madrilenët mundën pastër 0-3 ekipin e Alegrit, duke dominuar totalisht ndeshjen e parë. Ronaldo hapi serinë e golave që në minutën e 3-të, me një gol të shpejtë që shtangu vendasit. Higuain pati rastin më të mirë për të barazuar, por ishte portieri Navas ai që mbajti në lojë madrilenët. Pjesa e parë u mjaftua me rezultatin 0-1.
Më pas, në të dytën, Ronaldo i shtangu të gjithë, në minutën e 64-t, kur me një rofeshatë, kaloi në avantazh të dyfishtë “los blancos”. Thjesht, një gol magjik. Dibala më pas u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, dhe në të 72-tën Marselo shënoi edhe të tretin. Tashmë, ekipi i Zidan e sheh veten me një këmbë në gjysmëfinale, dhe në sfidën e kthimit duhet vetëm të menaxhojë fitoren e thellë të sotme.
Bayern Munich zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në “Ramón Sánchez Pizjuán” duke mposhtur me përmbysje 2-1 ekipin e Sevilla. Me këtë rezultat të besuarit e Jupp Heynckes janë me një këmbë në gjysmëfinalen e Champions League, pasi ndeshja e kthimit zhvillohet në Mynih. 45’ minutat e parë u mbyllën në barazim 1-1, me bavarezët që e kontrolluan lojën, por rastet më të pastra i patën andaluzianët.
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 32’ me anë të Sarabia. Pas një zbritjeje të shpejtë në sulm, Escudero kroson në zonë nga e majta dhe aty përfiton Sarabia, i cili nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Ulreich. Përveç disavantazhit, Heynckes e shqetëson edhe dëmtimi i Vidal. Mesfushori largohet nga fusha duke i lënë vendin kolumbianit Rodriguez. Pak para fundit miqtë barazuan ndeshjen me anë të Ribery, që i ndihmuar edhe nga Navas e dërgoi topin në rrjetë.
Në të dytën Bayern Munich e nis në sulm dhe i afrohet ndjeshëm avantazhit me Ribery, që është protagonist në këto minuta. Miqtë e gjejnë avantazhin në minutën e 68’ me anë të spanjollit Alcantara. Pas një aksioni të shpejtë Ribery kroson nga e majta dhe topi shkon te Alcantara, i cili me kokë e dërgon në rrjetë (68’). Në avantazh Bayern kontrollon lojën dhe i lë pak hapësira vendasve, që e kërkojnë me insistim golin e barazimit. Në minutat e fundit Sevilla hidhet e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit, por pa sukses, me bavarezët, që administrojnë rezultatin dhe kthehen në Mynih me fitore.