Miliarderi i njohur nga Tetova Lazim Destani i cili ka financuar monumentin e “Shqiponjës” që u vendos te Dogana në hyrje të Tiranës ka reaguar për herë të parë pas heqjes së saj. Stafi i Destani është shprehur se ai preferon të mos bëhet pjesë e debateve që kanë nisur në Shqipëri mes palëve politike, duke mbajtur një pozicion neutral duke qenëë dhe një person që bashkon njerëz.
“Pas ndodhive te fundit lidhur me monumentin Shqiponje qe z.Destani i ka bere dhurate Tiranes dhe gjithë kombit shqiptar, per Njeqind-Vjetorin e Pavaresise, preferojme te mbajme ane neutrale, sepse z.Destani paraqet figure qe bashkon njerez, ndaj edhe as ne kete rast nuk duam te deklarohemi ne nje menyre apo tjeter per te shkaktuar eventualisht edhe nje tjeter percarje mes cilave do subjekte”, thuhet në përgjigjen e siguruar nga “Fax News”.
Monumenti i “Shqiponjës” u hoq për ti hapur rrugë punimeve që kanë nisur për ndërtimin e mbikalimit të ri, pjesë e projektit të Unazës së Re.
Lazim Destani është një biznesmen i suksesshëm me prejardhje nga Malësia e Sharrit të Tetovës. Ai dhe familja e tij drejtojnë një rrjet internacional biznesesh, në sektorin e shërbimeve, inxhinierisë dhe ndërtimit, energjetikës e logjistikës, me mbi tridhjetë ndërmarrje aktive në tregun global (Gjermani, SHBA, Zvicër, Dubai, Turqi, Maqedoni, Liban, Kuvajt, Rusi, Mongoli dhe Kinë) me vlerë 5 miliardë dollarë.