“Na renditi në vend të dytë, humbëm edhe ndeshjen shtesë me Vllazninë”, presidenti i Besëlidhjes “thumbon” Plorin…

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, ka folur dje për “Panorama Sport” në lidhje me kalimin e Elvis Plorit në stafin e Vllaznisë. Dhe nuk kanë munguar thumbat për trajnerin shkodran:


“E bekoj vajtjen e Plorit te Vllaznia, uroj ta mbyllë sezonin aty dhe skuadra të renditet në zonën europiane, pavarësisht se ka konsumuar vetëm gjysmën e kontratës me mua. Te Besëlidhja erdhi me shumë bujë, ndërtuam skuadrën me futbollistët që deshi vetë, në fund na renditi në vend të dytë dhe humbëm edhe ndeshjen shtesë me Vllazninë.

Gjithsesi, i uroj suksese te Vllaznia. Uroj që Vllaznia me Plorin të mos renditet në zonën e rënies. Besëlidhja është skuadër që lakmohet nga shumë trajnerë, janë mbi 10 në radhë. Zv/trajneri Gledis Lani e ka vendin të sigurt te Besëlidhja, pasi e meriton”, u shpreh presidenti i lezhjanëve.

Presidenti Noka ka shprehur hapur pakënaqësinë edhe për disa lojtarë të sezonit të fundit, por pa i përmendur me emra. Ai ka paralajmëruar një revolucion në skuadër: “Nuk vuajmë për trajnerë dhe as për futbollistë, 50% e skuadrës do të rinovohet, pasi shumë futbollistë nga ata të sezonit të fundit janë mjaftuar vetëm me pagën, nuk kanë pasur këllqe me luajtur futboll. Disa nga këta nuk e kanë merituar fanellën e Besëlidhjes, kemi lënë shumë pikë përballë skuadrave të dobëta.

Nuk do të ketë më futbollistë rrogëtarë te ne, do të paguhen vetëm ata që e meritojnë. Besëlidhja nuk është zyrë e ndihmës ekonomike dhe as e sigurimeve shoqërore për të paguar invalidë. Tani për tani nuk kam emra konkretë, por kam shumë futbollistë që mezi presin të vijnë te Besëlidhja për sezonin e ri. Për merkaton jam unë ai që vendos, pasi të gjitha shpenzimet janë me paratë e mia. Fanellën e Besëlidhjes do ta veshin vetëm ata futbollistë që e meritojnë vërtet. Kam ende kohë në dispozicion për të zgjedhur trajnerin dhe më pas për të formatuar skuadrën”, deklaroi presidenti Gjok Noka. Mbetet të mësohen tashmë emrat e atyre futbollistëve që do të largohen nga skuadra lezhjane. /Panorama Sport/

Mbështet Shkodraweb Media në misionin e vet! FALEMINDERIT!

REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania