“Ramën e njoh vetëm përmes televizorit”, flet pronari i firmës që i dha me qira makinën luksoze kryeministrit

Detaje të reja janë mësuar lidhur me automjetin e fundit që ka marrë në përdorim kryeministri Edi Rama. Kompania të cilës i është marrë me qira mjeti luksoz, është regjistruar më 02.06.2016 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke zgjedhur si fushë veprimi: Tregti të pjesëve të vjetra të këmbimit për automjete dhe tregti të automjeteve të përdorura.

Ky fakt hedh poshtë deklaratën e zyrës së Kryeministrisë, ku pretendohej se kompania kishte më shumë se 5 vite që operonte në fushën e dhënies së makinave me qira. Gjë që rezultoi e pavërtetë…


“Partia Socialiste ka një kontratë qiraje me subjektin, i cili ushtron prej më shumë se 5 vitesh aktivitet në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të automjeteve”, thuhej në reagimin e Kryeministrisë.

Për të mësuar më shumë detaje lidhur me kontratën që edhe më sot nuk është publikuar nga Kryeministria, ka folur administratori i kompanisë, Erjon Hoxhallari që është bashkëshorti i pronares. Ai tha se kryeministrin e njeh si çdo qytetar shqiptar, dhe se ka nënshkruar një kontratë të ligjshme për të cilën disponon dokumentat.

“Jam në Livorno momentalisht. Dokumentet i kam në dyqan. Do kthehem pas 4 ditësh. Nuk kam asgjë për të fshehur. Disponoj të gjitha dokumentat e kontratës. Është e rregullt.
Çdo veprim që është bërë është i pasqyruar në dokumenta. E njoh kryeministrin aq sa e njeh çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi, përmes televizorit,”– tha ai.

Mediat raportuan se kryeministri Rama e ka modifikuar këtë makinë duke e kthyer në një ‘avion privat’ me vlerë 500 mijë dollarë. Sipas medias, makina e Ramës ka dy ndenjëse VIP me mbështetëse këmbësh, sediljet janë italiane ndërsa rimesoja është me dru arre origjinale. Tavani është i ndriçuar dhe është i gjithi me lëkurë kastori.

Ndërkohë që ende nuk dihet se sa para kushton ky mjet nga arka e taksapaguesëve shqiptarë. Kryeministria e pranoi marrjen me qira, por nuk tha asnjë detaj tjetër. /Vjosa.net/